
Gjykata ka dhënë vendimin për dy vëllezërit Deni e Kejni Selimllari, djmetë e ish-miss Albania, valbona Selimllari, përkatësisht 21 dhe 18 vjeç, të cilët u arrestuan në orët e para të mëngjesit të 4 tetorit, pasi goditën me grushte një efektiv policie.

Togat e zeza lanë pas hekurave Deni Selimllarin, ndërsa liruan 18-vjeçarin Kejni Selimllari duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
“Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit K. S. nga dhomat e paraburgimit, nëse ai nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale apo për ndonjë dënim të dhënë me vendim gjyqësor”, thuhet në vendim.
Kejni Selimllari u urdhërua të paraqitet, pranë oficerit të policisë gjyqësore të martën e parë të cdo muaji, ora 11:00.
Njoftimi i Gjykatës:
V E N D O S I :
- Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasve D. S.dhe K. S. si të dyshuar për kryejen e veprave penale të “Goditje për shkak të detyës”, “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrim prone me dashje”, parashikuar nga nenet 237/3, 238/3, 150 dhe 25, të Kodit Penal.
- Caktimin e masës sigurimi me karakter shtrëngues ndaj shtetasit D. S., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
- Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj të arrestuarit K. S..
- Detyrohet i arrestuari K. S. që në zbatim të këtij vendimi gjyqësor të paraqitet, pranë oficerit të policisë gjyqësore të martën e parë të cdo muaji, ora 11:00.
- Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit K. S. nga dhomat e paraburgimit, nëse ai nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale apo për ndonjë dënim të dhënë me vendim gjyqësor.
- Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Policia Gjyqësore, për ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm , duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar.
-U shpall në Tiranë sot më datë 06.10.2025
Si ndodhi ngjarja
Deni dhe Kejni Selimllari, , ndodheshin në një nga lokalet e natës në zonën e njohur të Bllokut në kryeqytet, në gjendje të dehur. Të rinjtë kishin filluar të bërtisnin dhe të shkaktonin rrëmujë brenda lokalit, duke shqetësuar klientët dhe stafin.
Më pas kamarierët janë detyruar t’i nxjerrin jashtë për shkak të sjelljes së tyre të papërshtatshme. Por edhe pasi janë nxjerrë jashtë, situata nuk është qetësuar. Djemtë kanë vijuar me zhurma, britma dhe ofendime në rrugë.
Në ato momente është afruar një punonjës policie, i cili u përpoq t’i qetësonte, por është përballur me sjellje të dhunshme nga të rinjtë. Sipas raportimeve, ata kanë ofenduar dhe më pas kanë goditur me grushte efektivin e policisë. Menjëherë është thirrur patrulla e Komisariatit Nr. 2, e cila ndërhyri dhe i shoqëroi të rinjtë në ambientet e komisariatit.
Por edhe atje, sjellja e tyre ka vijuar të jetë e dhunshme. Ata kanë thyer një kamerë sigurie, dëmtuar derën e dhomës së shoqërimit dhe kanë kërcënuar punonjësit e policisë.
Njoftimi i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë shtetasit D. S., 21 vjeç, dhe K. S., 18 vjeç, pasi në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë goditur, për shkak të detyrës, një punonjës policie.
Kur janë shoqëruar në ambientet e dhomave të shoqërimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2, këta shtetas kanë thyer kamerën e sigurisë dhe kanë dëmtuar derën e dhomës së shoqërimit. Gjithashtu, kanë kanosur punonjësit e policisë që ndodheshin në këto ambiente.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.




You must be logged in to post a comment.