
Prokuroria kompetente e Larisës në Greqi, ka vendosur të miratojë kërkesën e plotë të grevistit shqiptar Pano Ruçi, (Routsis) edhe për kërkesën e dytë të tij pas asaj të zhvarrimit, që është ajo e analizave toksikologjike dhe identifikimit të trupit të djalit të tij, Denis Ruçi, 22-vjeçarit që ishte një ndër viktimat e aksidentit hekurudhor të tempit tre vite më parë.

Panos Ruçi, i cili është në grevë urie në Syntagma për të 22-ën ditë, kishte kërkuar zhvarrimin e djalit të tij, duke dashur përgjigje rreth rrethanave të vdekjes, duke u shprehur se brenda arkivolit nuk gjendej i biri.
Fillimisht, u dha leja për zhvarrimin dhe analizat e ADN-së për të identifikuar trupin, një vendim që nuk e kënaqi shqiptarin, i cili vazhdoi grevën e urisë. Tani, Prokuroria e Shkallës së Parë e Larisës ka dhënë “dritën jeshile” edhe për kryerjen e analizave toksikologjike mbi trupin e Denisit.
Burime gjyqësore vënë në dukje se vendimi nuk do të thotë që hetimi për aksidentin tragjik në Tempi po fillon përsëri. Data për fillimin e gjyqit për aksidentin pritet të përcaktohet brenda ditës, informon “Protothema”.
Dosja e çështjes që do të formohet me rezultatet e analizave – identifikuese dhe toksikologjike – të zhvarrimit, do të jetë e veçantë. Për këtë javë ishte shtyrë edhe procesi i zhvarrimit, pas kërkesës së avokates së shqiptarit.




You must be logged in to post a comment.