E gjitha nisi si një seancë e zakonshme civile. Elvis Shkambi, me një vështrim të ftohtë, hyri në godinën e Gjykatës së Apelit rreth orës 15:10.

Kontrolli i sigurisë në hyrje ishte formal. Detektori metalik i dha sinjale se personi në fjalë kishte mjete metalike, por roja i sigurisë, për shkak të ngarkesës në atë institucion, neglizhoi…

Neglizhoi, pasi detektori i Gjykatës së Apelit sinjalizon për pjesën më të madhe të personave që kalojnë aty, ku dikush ka rripin, tjetri togëzën e çantës dhe dikush aksesorë të ndryshëm metalikë.

Roja e sigurisë, Banush Koxhaj, nuk kreu kontroll fizik, edhe pse sinjalizimi dritor tregoi prezencën e metaleve, pa e menduar se Elvisi në brez nuk kishte vendosur vetëm rripin, por edhe një pistoletë Beretta.

Në sallë ndodheshin rreth 10 persona: gjyqtari i ndjerë Kalaja, palët në proces, përfaqësuesit ligjorë dhe përmbaruesja. Pas prezencës së palëve, rreth orës 15:30, gjyqtari Astrit Kalaja shpalli vendimin paraprak për rrëzimin e kërkesës së Shkambëve për pezullim të ekzekutimit.

Ishte një vendim teknik, i përkohshëm.

Në thelb, nuk ishte vendim që vendoste për pronën. Por, për familjen Shkambi ishte sinonim i humbjes dhe vijimit të kalvarit. Në çastin kur gjyqtari po lexonte arsyetimin, Elvis Shkambi, i ulur në bankën e prapme, vendosi dorën në brez.

Askush nuk e vuri re. Në një moment, ai u ngrit dhe eci përpara, sikur donte të fliste. Pasi u afrua tre hapa, u dëgjua krisma e parë. Një plumb e goditi gjyqtarin në anën e majtë të gjoksit.

“Në momentin që u shpall vendimi, u ndjeva keq, mu errën sytë. Nxora pistoletën që kisha me vete dhe qëllova. Më ishte sosur durimi. Ky ishte akti i fundit pas padrejtësive që po kryheshin me pronën që unë dhe familja ime zotëronim”, u shpreh Shkambi.

Dëshmitarët tregojnë se gjyqtari u rrëzua mbi tavolinë, ndërsa një dosje e bardhë u njollos me gjak. Autori nuk u mjaftua me kaq, por qëlloi sërish. Këtë herë drejt palës paditëse, babë e bir, Ervis dhe Rakip Kurtaj. Djali 45-vjeçar, pasi del nga salla me babanë, instinktivisht e mbulon me trup këtë të fundit për ta mbrojtur nga plumbat. Në këtë moment, autori ul armën, nuk qëllon më. Drejtohet drejt rojës së sigurisë dhe ia dorëzon atij pistoletën i qetë, sikur të mos kishte bërë asgjë.

“Vazhdova të qëlloja sërish. Nuk i kam harxhuar të gjitha plumbat, më kishin mbetur edhe 3 plumba të tjerë. Në momentin që po qëlloja, kuptova atë çfarë po bëja, aty ndalova së qëlluari dhe shkova dorëzova pistoletën te roja e sigurisë, dola jashtë dhe prita të vinte policia që të dorëzohesha”, u shpreh Shkambi.

Patrulla e parë mbërriti në vendngjarje 6 minuta më pas. Elvis Shkambi ndodhej ende në oborr, në këmbë, duke pritur uniformat blu. Jo vetëm që nuk bëri rezistencë, por u thërriste policëve të çorientuar ta arrestonin, pasi ishte pikërisht ai autori i krimit.

Ai u prangos së bashku me xhaxhain Gjonin, që në ato momente fliste në telefon me dikë. Dëshmitarët okularë tregojnë se pas të shtënave çdo gjë u kthye në kaos, ku asnjë s’po kuptonte çfarë kishte ndodhur.

Sipas dëshmitarëve, në ambientet e ngushta të koridorit, avokatë, palë në procese të tjera, por edhe punonjës të administratës, të terrorizuar, dolën jashtë gjykatës. Të tjerë u futën në dhomën e pritjeve.

Dëshmia e autorit të aktit të rëndë përpara oficerëve të policisë gjyqësore Tiranë është tronditëse. I pyetur për armën e krimit, ai ka treguar se e mbante me vete prej kohësh. Më tronditës është fakti që ai nuk e ka pasur për herë të parë që ka hyrë në gjykatë i armatosur.

“Pistoletën e mbaj prej kohësh. E mbaj sepse ashtu kam disa punë të mijat. Unë kam hyrë edhe herë të tjera në ambientet e gjykatës i armatosur, kjo nuk është hera e parë. Në shumicën e rasteve e kam pasur armën me vete”, tha Shkambi në dëshminë e tij.

Në fillim, ngjarja u duk si një shpërthim i papritur zemërimi, një reagim emocional ndaj një vendimi gjyqësor. Por hetimi që pasoi zbuloi një zinxhir dështimesh dhe përgjegjësish që çuan deri te akti ekstrem. Jo ndaj gjyqtarit të ndjerë, por ndaj sistemit. Ai ishte viktima e pafat e sistemit. Në atë sallë nuk ishte vetëm një autor. Ishte një sistem i tërë që nuk funksionoi.

“Në shënjestër, unë jam i bindur, ka qenë sistemi, frustrimi që ai mund të ketë prodhuar. Mendoj se edhe ndaj gjykatës u drejtua kjo armë, sepse ekzekutimi u realizua në momentin më solemn. Kur gjykata flet, palët duhet të heshtin. Nuk heshtën, por goditën me plumb dhe morën një jetë, një jetë që sakrifikohet për mëkatet e të gjithë sistemit”, u shpreh Gerti Shella, drejtor i INFOCIP.

“Kjo histori neglizhence tregon se krimi dhe lënia në mëshirë të fatit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është një histori e re që zbulohet tani që u vra Astrit Kalaja, i cili nga e gjithë dinamika e zbardhur, tregon se sistemi i kontrollit për të hyrë kishte dështuar, për sa kohë që edhe vetë drejtësia e pranoi dy vite më parë se kishte probleme”, u shpreh gazetarja Anila Hoxha.

Sipas hetimeve të prokurorisë, Elvis Shkambi nuk hyri rastësisht me armë në gjykatë. Fakti që autori kishte hyrë edhe herë të tjera në atë gjykatë i armatosur e çon në dyshimin e arsyeshëm se çdo gjë ka qenë e planifikuar, bashkë me xhaxhanë e tij, Gjon Shkambi, i cili është edhe përfaqësuesi i familjes Shkambi në të gjitha proceset gjyqësore. Gjoni, i cili ishte gjithashtu prezent në seancë, akuzohet për bashkëpunim në ngjarje. Ai po hetohet për vrasje të funksionarëve publikë në bashkëpunim dhe për vrasje në rrethana të tjera cilësuese. /TCH

Trending