Gjykata e Fierit liron mjekun imazherist që merrte lekë për ekot, i cakton masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur ditën e sotme të lirojë nga arresti mjekun radiolog Gëzim Taullaj, i cili dyshohet se merrte lekë nga pacientët për të kryer ekzaminime me eko abdominale në Spitalin Rajonal të qytetit. Ndaj mjekut 66-vjeçar, Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, teksa ai është vënë nën hetim për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 259 të Kodit Penal.
Vetë mjeku nuk ishte i pranishëm gjatë seancës gjyqësore, duke e justifikuar mungesën e tij me shkaqe shëndetësore, por zgjodhi të përfaqësohej nga dy avokatët e tij, Xhevair Morina dhe Gjergji Habilaj. Trupi gjykues përbëhej nga gjyqtarja e Fierit Aurora Tusha, e cila, pasi dëgjoi palët dhe shqyrtoi në seancë provat e sjella nga Prokuroria, mori në konsideratë kërkesën e palës mbrojtëse, që kërkoi caktimin e një mase më të lehtë sigurie se ajo që kërkoi prokurori Leonard Suçi.
Organi i akuzës insistoi që ndaj mjekut Gëzim Taullaj të vendosej masa e sigurimit “Arrest në burg”, por mbrojtësit ligjorë të tij e kundërshtuan kërkesën e prokurorit, duke argumentuar se gjendja shëndetësore e 66-vjeçarit nuk është e mirë dhe nuk është e qëndrueshme, teksa edhe bashkëshortja e tij vuan nga probleme shëndetësore. Avokatët thanë në gjykatë se mjeku imazherist ka një eksperiencë profesionale 40-vjeçare dhe se ndaj tij nuk ekziston asnjë masë disiplinore që lidhet me ushtrimin e detyrës së mjekut.
Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës penale bërë nga Prokuroria e Fierit dhe administrimit të provave në tërësi, Gjykata vendosi që mjeku të hetohet me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, duke urdhëruar policinë gjyqësore që të zbatojë vendimin. Mjeku imazherist Gëzim Taullaj u arrestua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, pas një hetimi 4-mujor që Prokuroria kishte nisur ndaj tij.
66-vjeçari u arrestua në kushtet e flagrancës, pasi i mori një shumë parash një pacienti, i cili do të kryente një eko abdominale në Spitalin Rajonal të Fierit, ndërsa gjatë hetimeve u arrit të dokumentohej me prova ligjore se imazheristi, gjatë orarit zyrtar të punës, duke shpërdoruar detyrën, kryente vizita në dy klinika private në Fier. Si provë materiale, policia i sekuestroi mjekut shumën e lekëve që i mori qytetarit në kundërshtim me ligjin, ndërsa gjatë kontrollit të banesës së tij u gjetën 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollarë.
Mallakastra News





You must be logged in to post a comment.