
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se paketa fiskale e parashikuar në buxhetin e ardhshëm do të hapë një kapitull të ri mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore.
Rama tha se Paqja Fiskale e promovuar gjatë procesit elektoral është e konceptuar për të forcuar bashkëpunimin mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore.
Numri një i qeverisë u shpreh se procesi do të realizohet në dy forma. Do ofrohet falje për të gjitha sipërmarrjet me detyrime të prapambetura.
Si do të jetë kjo falje:
A-Fshirje e plotë e detyrimeve tatimore të papaguara që u përkasin periudhave më të hershme se 10 vite të regjistuara në llogaritë tatimore të subjekteve.
B-Fshirje 50% e detyrimeve për periudhën 5-10 vite nëse shuma e mbetur paguhet përnjëherësh brenda një afati të përcaktuar së bashku me fshirjen e gjobave dhe interesave.
C-Fshirje 20% e detyrimeve nëse shumat paguhen me këste brenda një viti.
D-Fshirje e gjobave dhe kamatëvonesave për 5-10 vite me kusht që të paguhet tarifa ose kontributi i së njëjtës periudhë.
Sipërmarrjet do të mund të korrigjojnë pasaktësitë në pasqyrat financiare.
“Do të jetë një paqe e shkruar, e cila do të diskutohet në Kuvend dhe jo më një paqe thjesht e propozuar në një program elektoral. Është një paqe fiskale për të cilën sipërmarrja na shikonte me dyshim dhe më thonin se nuk kemi për ta bërë. Kjo është shumë e bukur dhe s’keni për ta bërë. Do të bëhet sepse këta jemi ne, ky jam unë dhe kjo është PS”, tha Rama./CNA




You must be logged in to post a comment.