
Nga Vasil Sofokli Tole
• Muzika popullore qytetare e Fierit është një fenomen artistik më i ri krahasuar me qytete të tjera të Shqipërisë së Jugut si Përmeti, Leskoviku, Berati apo Korça, të cilët e krijuan muzikën qytetare në gjysmën e dytë të shek XIX- fillim i shek. XX, menjëherë pas hyrjes së veglave të temperuara europiane si klarineta dhe violina në muzikën tonë popullore.
Tipar kryesor i kësaj muzike ishte këndimi nga një këndvështrim i ri i këngëve popullore me iso të fshatit tosk, të shoqëruara nga ansambli me vegla që populli i quajti saze. Në vitet 1930, në disqet e kohës, krahas emrave të mëdhenj të sazeve të Leskovikut me Selimin dhe Hafizenë, të Përmetit me Mehdi Përmetin e Jonuzin e Lamçes, Vlorën me Bilbil Vlorën apo Korçën me Cilo Qorrin, dalin edhe disa emra këngëtarësh nga Fieri, ndër ta më i njohuri ishte Kiu Poro çka dukshëm provonte se edhe Fieri po i shtohej listës së qyteteve që kishin muzikën e tyre identitare të lidhur ngushtë me trashëgiminë muzikore iso polifonike me marrje, prerje e iso. Këngëtarët të tjerë fierakë si Llazi Spiro Shënpjetra, Sil Paloli, vëllezërit Dano ju shtuan interpretëve të repertorit ri qytetar të sapo krijuar.
Në atë kohë Fieri i dha muzikës popullore qytetare me saze të Shqipërisë së Jugut edhe kryekëngën “Goc e berberit”, e njohur ndëkombëtarisht pas këndimit nga unikja Hafize Leskoviku, ku ndër vargjet e saj të tingëllojnë më shumë në vesh ato që thonë: “Ma kishe shtëpinë mu në fund të Fierit, moj Goc e Berberit”!
Janë disa muziktarë që kanë dhënë ndihmesën e tyre në konsolidimin e muzikës qytetare fierake pas Luftës së II Botërore, por mendoj se kontributi i Jani Tases është më i spikaturi dhe më i gjati në kohë. Meritë e tij është si rikrijimi në kushte të reja i grupit të këngës qytetare fierake (duke e pasuruar atë me elemente të rinj), e veçanërisht fakti që repertorit tradicional të muzikës popullore qytetare të Fierit ai i shtoi falë aftësive të tij krijuese e përpunuese, një grup këngësh të reja që zunë vendin e merituar në repertorin më të ri të kësaj muzike. Këngë si “Rrang e rring luan penxhereja”, “Vinte zoga anës lumit”, “Ma kishe shtëpinë mu në fund të Fierit”, “Më zu vesa”, “Vish fustanin me toka” etj, të interpretuara nga Jani Tase, Llazar Pove, Dhimitër (Miti) Nushi, vëllezërit Arjan dhe LLazar (Landi) Papa, Albert Aliaj, Robert Hoxha, Alfred Tase, Alma Gashi etj, krijuan portretin më të ri të muzikës popullore fierake i cili siç pohojnë edhe qytetarët e Fierit, e gjallëroi ndjeshëm jetën artistike të qytetit duke marrë pjesë në çdo aktivitet artistik, festa vendore, apo ato kombëtare, ku janë vlerësuar për artin e tyre.
Prandaj Jani Tase do të nderohet nga qytetaria e Fierit dhe historia e muzikës sonë, se ja doli jo vetëm ta përcillte më tej traditën e muzikës popullore qytetare fierake, por dhe ti shtonte asaj kontributin e Tij si krijues, orkestrues, si këngëtar e organizator i shquar.




You must be logged in to post a comment.