
Zyra e prokurorit publik në Milano ka hapur një hetim mbi pretendimet se shtetas italianë udhëtuan në Bosnje-Hercegovinë në “safari snajperësh” gjatë luftës në fillim të viteve 1990.
Italianët dhe të tjerë dyshohet se kanë paguar shuma të mëdha parash për të qëlluar civilët në qytetin e rrethuar të Sarajevës.
Padia në Milano u paraqit nga gazetari dhe romancieri Ezio Gavazzeni, i cili përshkruan një “gjueti njeriu” nga “njerëz shumë të pasur” me një pasion për armët që “paguanin për të qenë në gjendje të vrisnin civilë të pambrojtur” nga pozicionet serbe në kodrat përreth Sarajevës.
Sipas disa raporteve, për vrasjen e burrave, grave ose fëmijëve aplikoheshin tarifa të ndryshme.
Më shumë se 11,000 njerëz vdiqën gjatë rrethimit brutal katërvjeçar të Sarajevës.
Jugosllavia u shkatërrua nga lufta dhe qyteti u rrethua nga forcat serbe dhe iu nënshtrua granatimeve të vazhdueshme dhe zjarrit nga snajperët.
Akuza të ngjashme për “gjuetarë njerëzish” nga jashtë janë bërë disa herë gjatë viteve, por provat e mbledhura nga Gavazzeni, të cilat përfshijnë dëshminë e një oficeri të inteligjencës ushtarake boshnjake, tani po shqyrtohen nga prokurori italian i antiterrorizmit Alessandro Gobbis.
Akuza është vrasje.

Oficeri boshnjak me sa duket zbuloi se kolegët e tij boshnjakë mësuan për të ashtuquajturat safari në fund të vitit 1993 dhe më pas ia kaluan informacionin inteligjencës ushtarake Sismi të Italisë në fillim të vitit 1994.
Përgjigja nga Sismi erdhi disa muaj më vonë, tha ai. Ata zbuluan se turistët “safari” do të fluturonin nga qyteti kufitar verior italian i Triestes dhe më pas do të udhëtonin drejt kodrave mbi Sarajevë.
“Ne i kemi dhënë fund kësaj dhe nuk do të ketë më safari”, iu tha oficerit, sipas agjencisë së lajmeve Ansa. Brenda dy deri në tre muajsh udhëtimet kishin ndaluar.
Ezio Gavazzeni, i cili zakonisht shkruan për terrorizmin dhe mafian, lexoi për herë të parë për turnetë me snajperë në Sarajevë tre dekada më parë kur gazeta italiane Corriere della Sera raportoi historinë, por pa prova të forta.
Ai u rikthye te kjo temë pasi pa “Sarajevo Safari”, një film dokumentar i vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupanic, i cili pretendon se personat e përfshirë në vrasje vinin nga disa vende, përfshirë SHBA-në dhe Rusinë, si dhe Italinë.
Gavazzeni filloi të gërmonte më tej dhe në shkurt u dorëzoi prokurorëve gjetjet e tij, të cilat thuhet se përbëjnë një dosje prej 17 faqesh që përfshin një raport nga ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës Benjamina Kariç.





You must be logged in to post a comment.