“Sigurisht që kemi ardhur këtu për një qëllim, të gjithë, për 3 pikë sepse na nevojiten për kualifikueset. Sigurisht kemi parë ndeshjet e Andorrës në shtëpi me Serbinë dhe Anglinë, që i ka vendosur në vështirësi. Prapë ne do luajmë futbollin tonë, do jemi me vetbesim të madh për 3 pikë”. Me këto fjalë Berat Gjimshiti futet në atmosferën e nxehtë të ndeshjes me Andorrën, vendimtare për kualifikimin në playoff të Botërorit. Kapiteni kuqezi, në konferencën për shtyp, e ka parashikuar se do të jetë e vështirë: “Të respektojmë kundërshtarin, do jenë momente të vështira për 90 minuta, por duhet të jemi mendërisht të fortë që t’i përballojmë të gjitha”.

Gjimshiti, njeriu që mungoi në kualifikimin e parë historik në Euro 2016, me teknikun Sylvinho po përjeton momente magjike e brenda dy viteve pas një Europiani mund të luajë edhe në një Botëror. “A e kam menduar ndonjëherë? Nëse do më pyesnit para 10 viteve, jo, nëse do më pyesnit pak më parë po. Besoj te mundësitë që futbolli jep. Çdo gjë është e arritshme dhe pse jo ta provosh”.

Ndoshta gjërat kanë ndryshuar nga Europiani tani që kuqezinjtë po bëhen gati të luajnë shanset për në Botëror, por Gjimshiti evidenton një factor: “Mundësitë për lojtarët që kemi me cilësi, besoj kanë ardhur të rinj, të fortë dhe të talentuar. Kanë vendosur trajnerin më shumë në vështirësi, për ekipin është më e thjesht. Sigurisht që kualiteti është rritur në disa aspekte, është mbajtur grupi dhe besoj është gjëja më e rëndësishme që kemi ne”.

Prioriteti është i qartë: mbrojtje e pastër, por për të fituar ndeshjen duhet edhe shënuar. E edhe në këtë pikë, Gjimshiti nuk tërhiqet pas: “Sigurisht që unë si mbrojtës pothuajse në çdo lojë futem për të mos pësuar gol, por nëse më vjen rasti pse jo. E kisha një rast me Letoninë, nesër nëse më vjen mundësia do jap gol. Për mua gjëja më e rëndësishme ekipi, që të fitojmë”.

Dy ndeshjet e fundit janë futur në fazën e numërimit mbrapsht: Kombëtarja ka nisur grumbullimin në Barcelonë, në prag të dy ndeshjeve të fundit të fazës kualifikuese ndaj Andorrës dhe Anglisë, të vlefshme për Botërorin 2026. Tre fitore radhazi natyrisht që japin moral, pa harruar se ndeshja për tu fituar është ajo kundër skuadrës së fundit në grup. Mario Mitaj ka folur para ndeshjes jo pa kujdes: “Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, e dimë çfarë presim, i njohim kundërshtarët, sidomos ndeshja e parë ndaj Andorrës, e cila është shumë e rëndësishme, ku duhet të jemi të gjithë shumë të fokusuar”.

Mbrojtësi i Kombëtares theksoi se grupi ndodhet në një moment shumë të mirë dhe se objektivi i ekipit është fitorja. “Jemi këtu pas tre ndeshjeve të fituara, jemi në një moment shumë të mirë. Besoj se do të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë. Është një ndeshje që duhet ta fitojmë se s’bën, duhet të futemi vetëm për fitore – tha Mitaj, që shtoi – I njohim kundërshtarët si Andorra, të cilët mbrojnë shumë dhe rrinë mbrapa, por besoj se mënyra se si do të futemi ne në lojë, sa të përqendruar do jemi, do të bëjë diferencën.”

Në fund, mbrojtësi kuqezi e mbylli me objektivin e qartë të grupit për dy ndeshjet e ardhshme: “Objektivi është vetëm që të shkojmë në play-off, jemi shumë afër, na duhen edhe këto dy ndeshje, fillimisht fitorja e parë me Andorrën dhe më pas shikojmë Anglinë. Ky është objektivi, të shkojmë në play-off”, – theksoi ndër të tjera Mitaj.

Trending