Polonia është kundërshtari i Shqipërisë në Play off të Botërorit. Kuqezinjtë masin forcat me polakët në mars, me synimin e vetëm kualifikimin.

Statistikat nuk duken në krah të kombëtares tonë, pasi në ndeshjet e fundit direkte numërojmë 10 humbje, 3 barazime dhe vetëm 2 fitore. Sfida e fundit është ajo që kemi fituar 2-0 në kualifikuese të europianit.Skuadra e Sylvinhos është forcuar shumë dhe historia mund të mos vlejë në një ndeshje teke. Poloni-Shqipëri luhet me 26 mars në Varshavë.

Shorti i hedhur për play-off-in europian të Botërorit ka sjellë emocione të mëdha për tifozët shqiptarë, pasi si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, kanë njihur kundërshtarët e marsit, të fortë, por jo të pamundur. Ndeshjet gjysmëfinale do të luhen më 26 mars, ndërsa finalet vendimtare më 31 mars.

Shqipëria në shortin e Grupit B do të ndeshet në gjysmëfinale me Poloninë, një kundërshtar me traditë të madhe në arenën ndërkombëtare. Robert Lewandowski dhe shokët e tij janë gjithmonë skuadër e rrezikshme, por Kombëtarja jonë ka treguar se mund të përballojë edhe emra të mëdhenj.

Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të përballen jashtë me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi më 31 mars, një finale e fortë, por e hapur për të gjitha skuadrat. Shqipëria do të ketë mundësinë të shkruajë një faqe historike, duke luftuar për pjesëmarrjen e parë në një Kampionat Botëror.

Kosova është vendosur në Grupin C dhe do të përballet me Sllovakinë. Dardanët kanë treguar progres të vazhdueshëm dhe karakter të fortë, ndaj edhe pse Sllovakia është ekip i konsoliduar, ndeshja mbetet e hapur. Një paraqitje e disiplinuar dhe me vendosmëri do të jetë kyçe për të synuar finalen.

Nëse Kosova arrin të kalojë, më 31 mars do të luajë kundër fituesit të ndeshjes Turqi – Rumani. Dy kundërshtarë me nivel të lartë, por jo të pakalueshëm për Kosovën, e cila, në ditën e saj më të mirë, mund t’u bëjë ballë të gjithëve.

Pamja e plotë e play-off-it të Europës

Gjysmëfinalet – 26 mars

A

• Itali – Irlandë e Veriut

• Uells – Bosnjë Hercegovinë

B

• Ukrainë – Suedi

• Poloni – Shqipëri

C

• Turqi – Rumani

• Sllovaki – Kosovë

D

• Danimarkë – Maqedoni e Veriut

• Çekia – Republika e Irlandës

Finalet – 31 mars

• Fituesi Uells/Bosnjë – Fituesi Itali/Irlandë e Veriut

• Fituesi Ukrainë/Suedi – Fituesi Poloni/Shqipëri

• Fituesi Sllovaki/Kosovë – Fituesi Turqi/Rumani

• Fituesi Çeki/Irlandë – Fituesi Danimarkë/Maqedoni e Veriut

Trending