Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të “pezullojë përgjithmonë migracionin” drejt Shteteve të Bashkuara nga të gjitha “vendët e botës së tretë”. Në një postim në Truth Social, ai argumentoi se ky hap do t’i lejonte Amerikës “të rikuperojë sistemin” dhe, sipas tij, të riparojë dëmet që politikat e mëparshme kanë shkaktuar tek standardet e jetesës së amerikanëve. Trump nuk dha detaje se cilat vende do të përfshiheshin në ndalimin e ri.

Deklaratat erdhën një ditë pasi një shtetas afgan u akuzua për sulmin ndaj dy anëtarëve të Gardës Kombëtare në Uashington, ku njëra prej tyre humbi jetën. Trump e përdori ngjarjen si shembull të një kërcënimi të madh për sigurinë kombëtare dhe, menjëherë pas sulmit, premtoi të dëbojë çdo të huaj që “nuk i përket këtij vendi”. Njëkohësisht, SHBA pezulloi procesimin e të gjitha kërkesave për emigracion nga Afganistani, duke nisur rishikimin e procedurave të sigurisë.

Administrata e tij njoftoi gjithashtu se do të rishqyrtojë green card-et e dhënë shtetasve nga 19 vende, përfshirë Afganistanin, Kubën, Haitin, Iranin, Somalinë dhe Venezuelën. Nuk u dha sqarim se si do të funksionojë procesi i riexaminimit.

Në postimin e gjerë të së enjtes mbrëma, Trump premtoi të heqë të gjitha përfitimet federale për jo-shtetasit, ndërsa përdori gjuhë të fortë kundër refugjatëve. Ai fajësoi migrantët për “dështimet dhe disfunksionet” në shoqërinë amerikane dhe akuzoi se “qindra mijëra refugjatë somalezë po marrin nën kontroll shtetin e Minnesotës”. “Do të pezulloj përgjithmonë migracionin nga të gjitha vendet e botës së tretë”, shkroi ai, mes një urimi për Ditën e Falënderimeve që u shndërrua në një mesazh kundër emigracionit.

Ekspertë të emigracionit e quajtën reagimin e Trump një “gjah shtrigash” politik, duke theksuar se motivet e sulmuesit nuk janë ende të qarta. Jeremy McKinney nga Shoqata Amerikane e Avokatëve të Emigracionit tha për BBC se radikalizimi apo problemet e shëndetit mendor “nuk kanë kombësi”.

Autoritetet amerikane konfirmuan se  Rahmanullah Lakanwal, i dyshuari i sulmit, kishte ardhur në SHBA në vitin 2021 përmes programit që ofronte mbrojtje për afganët që kishin punuar me forcat amerikane pas tërheqjes nga Afganistani. Ai kishte punuar edhe me CIA-n, ndërsa kërkesa e tij për azil ishte miratuar fillimisht këtë vit. Sulmoi dy pjesëtarët e Gardës Kombëtare në Uashington, duke vrarë 20-vjeçaren Sarah Beckstrom, ndërsa ushtarja tjetër, Andrew Wolfe, mbetet në gjendje kritike.

Trump e cilësoi ngjarjen një “akt terrori” dhe e përdori atë për të ashpërsuar më tej kursin e tij kundër emigracionit. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë dhe USCIS nuk kanë sqaruar ende se si do të zbatohet konkretisht ndalimi i ri që Trump ka paralajmëruar. /BBC

Trending