


𝐀𝐫𝐭𝐢𝐬𝐭𝐢 𝐦𝐞 𝐳ë𝐫𝐢𝐧 𝐝𝐡𝐞 𝐳𝐞𝐦𝐫ë𝐧 𝐞 𝐦𝐚𝐝𝐡𝐞!
𝑵ë 𝒏𝒅𝒆𝒓𝒊𝒎 𝒕ë 𝒕𝒆𝒏𝒐𝒓𝒊𝒕 𝑽𝒊𝒍𝒔𝒐𝒏 𝑺𝒉𝒂𝒉𝒐
.
(Nga Ilirjan Gjika)
.
.
Historia e artit përbën vetvetiu një volum të gjerë, në faqet e të cilit ndeshim emra të shumtë artistësh të talentuar. Edhe Shqipëria, ndonëse e vogël, ka vendin e saj të merituar, e përfaqësuar denjësisht me vepra dhe personalitete të nivelit botëror. Ky fakt e bën njohjen dhe studimin e artit shqiptar edhe më interesant dhe të bukur për ne.
Po të shfletonim këto faqe, do të vërenim se artistët tanë kanë ndjekur rrugë të ndryshme formimi. Shumë prej tyre kanë ndjekur të gjitha nivelet e shkollimit artistik, ndërsa të tjerë kanë studiuar pjesërisht ose fare pak. Por falë pasionit, vullnetit dhe punës së tyre të përkushtuar, ata janë bërë figura të rëndësishme të artit muzikor. Në këtë drejtim mjafton të kujtojmë emra të mëdhenj si Vaçe Zela apo Mentor Xhemali, të cilët me talentin e tyre spikatur u bënë të njohur edhe jashtë vendit.
Në këtë kontekst do të hidhte hapat e tij edhe tenori Vilson Shaho (1959–2018), i cili u fut në rrugën e artit nga lëvizja amatore. I lindur në Fier, që në moshë të vogël ai spikati për talentin dhe zërin e bukur. Aktivitetin artistik do ta niste herët, që në bangat e shkollës 8-vjeçare, përmes pjesëmarrjes në koncertet për fëmijë të organizuara nga Shtëpia e Pionierit.
Edhe më vonë, ndonëse nuk ndoqi arsimin e mesëm artistik dhe filloi punë në ndërmarrjet prodhuese, Vilson Shaho nuk e braktisi asnjëherë pasionin për këngën. Ai ishte gjithmonë i pranishëm dhe aktiv në veprimtaritë artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore “Myzeqeja”, trupës së Estradës së Fierit, etj. Duke tërhequr vëmendjen e specialistëve të fushës, atij iu mundësua ndjekja e studimeve në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve të Bukura).
Falë punës dhe pasionit, Vilson Shaho u diplomua me sukses dhe në një nivel të lartë në degën e kantos, profili tenor. Duke vlerësuar aftësitë e tij profesionale, pas studimeve iu kërkua të interpretonte si solist pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, por për arsye familjare ai u rikthye në qytetin e lindjes.
Në Fier, Vilson Shaho ishte pjesëmarrës i pandashëm në koncertet e formacioneve artistike: Ansamblit “Myzeqeja”, Estradës së Fierit, Orkestrës Sinfonike, etj. Ai mori pjesë gjithashtu në konkurime kombëtare si Anketa Muzikore e Radio Tiranës, Festivali i Këngës në RTSH, Festivali i Interpretuesve, etj. Publiku do ta mbajë mend sidomos për interpretimet e tij brilante të këngëve popullore myzeqare e fierake, të cilat i këndonte me pasion, ëmbëlsi dhe finesë.
Repertori i tij përfshinte gjithashtu këngë të lehta, këngë të përpunuara, si edhe arie të muzikës operistike shqiptare dhe të huaj. Me regjistrin e gjerë vokal, me zërin potent e të pastër, Vilson Shaho u vlerësua jo vetëm nga artdashësit, por edhe nga kolegët dhe artistët profesionistë. Ai shquhej jo vetëm për nivelin e interpretimit, por edhe për shpirtin prej artisti, duke u dhënë këngëve një ngjyrim të veçantë.
Gjatë karrierës së tij, ai u shpall fitues në disa kompeticione, si Anketa Muzikore në Radio Tirana dhe Festivali i Këngës Popullore Qytetare në Elbasan. Kontributi i tij u dha edhe pranë Shtëpisë së Kulturës në Fier, në detyrat e shefit të muzikës dhe drejtuesit të institucionit.
Edhe pse jeta e tij artistike u ndërpre në mes, Vilson Shaho la gjurmë të pashlyeshme te bashkëkohësit – jo vetëm si këngëtar i talentuar e brilant, por edhe si njeri me vlera të spikatura.
Për kontributin e tij ndër vite, punën e palodhur dhe pjesëmarrjen në koncerte, premiera e aktivitete të ndryshme, Bashkia Fier e vlerësoi në vitin 2022 me “Certifikatë Mirënjohjeje”.





You must be logged in to post a comment.