Janë hedhur shortet e grupeve të Kupës së Botës 2026. Shqipëria, pra, ka njohur kundërshtarët që do të përballet në rast të kalimit të playoff-it. Ka shkuar potencialisht mirë për kuqezinjtë, të cilët mund të përfundojnë në grupin F, ku do të gjejnë Holandën, Japoninë e Tunizinë. Akoma më mirë nëse kualifikohet Kosova në playoff. Dardanët e Fodas do të shkonin në Grupin D: ku do të përballen me SHBA, Paraguay e Australinë.

Turneu që do të luhet nga 11 qershor deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, pra, nis të marrë formë dhe që për herë të parë do të jetë me 48 skuadra dhe jo me 32. Kombëtarja kuqezi shpreson për herë të parë për të luajtur fazën finale të një Botërori. Për këtë do të duhet të kalojë nga playoff-et, fillimisht gjysmëfinalja kundër Polonisë e programuar në Varshavë të enjten më 26 mars, dhe më pas finalja eventuale kundër fitueses së Ukrainë-Suedi, në transfertë të martën më 31 mars.

NJIHUNI ME GRUPET

GRUPI A: fituesja e playoff Europa D (Danimarka/Maqedonia e Veriut/Republika Çeke/Irlanda) me Meksikë, Afrika e Jugut e Korea e Jugut
GRUPI B: fituesja e playoff Europa A (Italia/Irlanda e Veriut/Uellsi/Bosnja e Hercegovina) kundër Kanada, Katar e Zvicër
GRUPI C: Haiti me Brazilin, Marokun e Skocinë
GRUPI D: fituesja e playoff Europa C (Turqia/Rumania/Sllovakia/Kosova) do të përballet me SHBA, Paraguay e Australinë.
GRUPI E: Curaçao kundër Gjermanisë, Bregu i Fildishtë e Ekuador
GRUPI F: fituesja e playoff Europa B (Ukraina/Suedia/Polonia/Shqipëria) bashkë me Holandën, Japoninë e Tunizinë
GRUPI G: mbyllet me Zelandën e Re të futur me Belgjikën, Egjiptin e Iranin
GRUPI H: Kepi Gjelbër me Spanjën, Arabinë Saudite e Uruguajin
GRUPI J: Jordania me Argjentinën, Algjerinë e Austrinë
GRUPI K: fituesja e playoff Fifa 1 (Kaledonia e Re/Xhamajka/Republika Demokratike e Kongos) do të luajë kundër Portogalisë, Uzbekistanit e Kolombisë
GRUPI I: fituesja e playoff Fifa 2 (Bolivia/Surinam/Irak) bashkë me Francën, Senegalin e Norvegjinë
GRUPI L: Ghana bashkë me Anglinë, Kroacinë e Panamanë

SI FUNKSIONON

Kupa e ardhshme e Botës do të zgjerohet në 48 skuadra. Nga pjesëmarrëset totale, 42 Kombëtare e kanë siguruar tashmë kualifikimin, ndërsa 6 të mbetura (përfshirë Shqipërinë) do të duhet të fitojnë vendin përmes playoff-eve të ardhshme. Vazot e shortit gjigant, që u mbajt në Washington pranë John F. Kennedy Center for the Performing Arts, përfshiu gjithashtu 6 skuadrat ende të padefinuara (“Kombëtaret X”).

KALENDARI

Kalendari i përditësuar i ndeshjeve, me përcaktimin e çdo stadiumi dhe orareve përkatëse të fillimit, do të publikohet ditën pas shortit, pra të shtunën më 6 dhjetor.

PROCEDURA

Shorti, i strukturuar si tabela e një turneu tenisi, do të nisë me skuadrat e vazës së parë.

Vendet Mikepritëse: Tre vendet mikepritëse kishin një pozicion të caktuar:

Meksika në Grupin A
Kanadaja në Grupin B
Shtetet e Bashkuara në Grupin D

Kokë-seritë: Kokë-seritë e mbetura u shpërndanë më pas nëpër grupe. Skuadrat me renditje më të lartë (p.sh. Spanja dhe Argjentina) u vendosën në rrugë të ndara në tabelë. I njëjti parim u aplikua për skuadrën e tretë dhe të katërt (p.sh. Franca dhe Anglia) dhe të tjerat.

Kjo metodologji ka si qëllim të sigurojë një shpërndarje të balancuar dhe të bëjë të mundur që skuadrat më të forta të mos ndeshen para finales eventuale, nëse fitojnë grupet e tyre. Për skuadrat e vazës 2, 3 dhe 4, pozicioni i tyre i saktë brenda grupit u përcaktua nga një skemë e paracaktuar në bazë të vazos prej nga dalin dhe grupit ku shkojnë.

TRUMP NDEROHET ME TË PARIN “FIFA PEACE PRIZE”

Është dhënë presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, çmimi i parë “Fifa Peace Prize”, i cili çdo vit do të shpërblejë ata që kanë promovuar “veprime të jashtëzakonshme për paqen dhe që në këtë mënyrë kanë bashkuar njerëzit në mbarë botën”.

“Ky çmim është një nga nderet më të mëdha të jetës sime” – tha Trump. – “Bota është një vend më i sigurt tani”, shtoi pasi renditi sukseset e diplomacisë së tij.

Trending