Presidenti amerikan Donald Trump ka pezulluar skemën e lotarisë së Kartës së Gjelbër (Diversity Visa – DV1), pas të shtënës masive në Universitetin Brown javën e kaluar, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën disa të tjerë. Vendimi u konfirmua nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila deklaroi se pezullimi i programit është bërë me urdhër të presidentit Trump, me qëllim që “asnjë amerikan të mos dëmtohet më nga ky program katastrofik”.

I dyshuari kryesor, 48-vjeçari portugez Claudio Neves Valente, u gjet i vdekur të enjten në një depo në Salem, New Hampshire. Sipas autoriteteve, ai kishte hyrë në SHBA në vitin 2017 përmes programit të vizave të lotarisë së diversitetit dhe ishte pajisur me Kartë Jeshile. Policia beson se ai i dha fund jetës me armë zjarri.

Zyrtarët amerikanë dyshojnë gjithashtu se Neves Valente është përgjegjës për vrasjen e profesorit të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT), Nuno F. Gomes Loureiro, 47 vjeç, i cili u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në Brookline, vetëm dy ditë para sulmit në Universitetin Brown. Të dy burrat kishin studiuar në të njëjtin universitet në Portugali në fund të viteve 1990.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Rhode Island, Peter Neronha, prova të gjetura në një automjet pranë vendit ku u gjet i vdekur i dyshuari përputhen me vendngjarjen e të shtënave në Universitetin Brown. Policia arriti të identifikojë Neves Valente pas një kërkimi gjashtë-ditor në disa shtete, përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe informacioneve nga publiku.

Leave a comment

Trending