Një avion privat “Falcon 50” me 5 persona në bord u zhduk nga radarët të martën në mbrëmje, pasi u ngrit nga Aeroporti Esenboğa i Ankarasë. Pak para orës 21:00 (ora shqiptare) u konfirmua se avioni ishte rrëzuar. Avioni ishte nisur për në Tripoli të Libisë.

Ai mbante në bord Shefin e Shtabit të Ushtrisë Libiane, Gjeneral Mohamed Ali Ahmed-Al Haddad. Vdekja e gjeneralit dhe e të gjithë personave në bord u konfirmua nga qeveria libiane.Mbetjet e avionit u gjetën në një kodër, dy kilometra larg fshatit Kesikavak, në rajonin Haimana, në jug të Ankarasë. Pasi u përplas në tokë ai shpërtheu në flakë.Pamjet e kamerave të sigurisë që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë një shkëndijë të ndritshme që besohet të ketë lidhje me rrëzimin e aeroplanit. Avioni kishte kërkuar të bënte një ulje emergjente në Haimanah, por nuk pati më kontakt me pilotin pas kësaj kërkese. Aeroporti në kryeqytetin turk u mbyll përkohësisht dhe fluturimet u devijuan në Kayseri.

Raportet tregojnë se avioni pati një problem me sistemet e tij elektronike dhe dërgoi një SOS për ulje emergjente përpara se të zhdukej nga radari. CNN Turk raportoi se ai ishte një avion i marrë me qira dhe i përkiste një kompanie private avionësh. Aeroporti Esenboga u mbyll për fluturime të tjera si masë paraprake pas marrjes së sinjalit të uljes, shtoi ai.

Ministri i Brendshëm i Turqisë Ali Yerlikaya, shkroi në një koment në X: “Kontakti humbi në orën 8:52 të mbrëmjes së sotme me një avion biznesi “Falcon 50”, me numër serial 9H-DFJ, i cili u nis nga Aeroporti i Ankarasë Esenboğa në orën 8:10 të mbrëmjes për në Tripoli. Nga avioni pati një kërkesë për ulje emergjente pranë Haimana. Megjithatë, kontakti me avionin nuk ishte i mundur më pas. Në bordin e avionit ndodheshin 5 pasagjerë, përfshirë Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Libisë, Gjeneralin Mohamed Ali Ahmed-Al Haddad. Publiku do të informohet për zhvillimet e mëtejshme.”

Kërkime për avionin u kryen nga ajri dhe toka nga Forcat e Armatosura Turke, Xhandarmëria, AFAD (mbrojtja civile), Ministria e Transportit dhe Ministria e Brendshme. Zyrtari libian ishte takuar disa orë më parë me homologët e tij turq.Ky është aksidenti i tretë ajror që përfshin Turqinë në rreth 40 ditë. Më 11 nëntor, një aeroplan transporti C-130 u rrëzua në kufirin e Gjeorgjisë dhe Azerbajxhanit, duke vrarë të 20 personat në bord. Dy ditë më vonë, më 13 nëntor, një aeroplan turk Canadair i përfshirë në një operacion zjarrfikës u rrëzua në Kroaci, duke vrarë të dy personat në bord.

Leave a comment

Trending