Pse i duhet Edi Ramës një avion në dispozicion në një moment kritik si ky? Cili është qëllimi i kësaj dhurate nga Erdogan, që rrëzon gjithë propagandën e Ramës për udhëtime të lira?

Në mesin e një krize institucionale në Tiranë, kur po përshkallëzohet konflikti mes qeverisë së Edi Ramës me gjyqësorin, mediat turke raportojnë për një marrëveshje të çuditshme dypalëshe mes Tiranës dhe Ankarasë, që parashikon kalimin falas të një avioni qeveritar nga Turkish Airlines drejt qeverisë shqiptare.

Bëhet fjalë për një Airbus A319-115J, një avion me vlerë 11.9 milion dollarë. “Avioni do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar për palën përfituese, ndërsa Turqia do të mbulojë të gjitha kostot e transferimit” shkruan Turkyietoday.

Ky gjest bujarie nga presidenti i Turqisë, Erdogan për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama duket si një lëvizje surprizë, që bie ndesh me propagandën e deritanishme të Edi Ramës.

Kryeministri jonë nuk kishte shfaqur ndonjëherë shqetësim për fluturimet e tij. Madje, në tetor ai i shpalli sekret të gjitha shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit me vendim qeverie. Duke lënë publikun në errësirë informative, Rama i dha fund spekulimeve për shpenzimet e fluturimeve me charter, për të cilat është akuzuar gjithnjë në media.

Madje Rama ka bërë çmos të bindë qytetarët vitet e fundit, se ai nuk ka nevojë për biletat e shtrenjta të “bussines class”, se mund të udhëtojë fare mirë me bashkëshorten në avionët e linjës, njësoj si qytetarët e tjerë, madje edhe kur i duhet të lëvizë për vizita shtetërore.Prandaj dhe pranimi i një dhurate kaq të shtrenjtë, një avion i gjithi për kryeministrin Rama e bën akoma më të çuditshëm këtë akt, që rrëzon një propagandë të ngritur me mund sipas së cilës, kemi një kryeministër që nuk bie kollaj pre e luksit dhe privilegjeve të pushtetit.

Duhet thënë se vënia e avionit në dispozicion të Edi Ramës nga Turqia vjen në një moment kur qeveria është e dobësuar nga skandalet lebetitëse, që kanë cënuar ndjeshëm pushtetin e kryeministrit.

Dosjet hetimore të prokurorëve të SPAK të mbështetur nga zyrtarët amerikanë, kanë përparuar në drejtim të njerëzve më të afërt të tij, disa prej të cilëve tashmë janë të arrestuar.

Në fillim ishte goditja ndaj Belinda Ballukut për tunelin e Llogarasë. Presioni erdhi në rritje me zgjerimin e hetimit në kontrata të tjera të nënshkruara si ajo për 7 lotet e Unazës së madhe të Tiranës, për kontratën e konçensionit Thumanë-Kashar etj.

Po aq i ndjeshëm, Rama ka qenë edhe për arrestimet e fundit për skandalin e AKSHI-t dhe përgjimet që iu gjetën Ergys Agasit në zyrën e tij në ish-Bllok, pranë restorant Erës. Ergys Agasi, një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit është në arrati dhe ky shihet si një tjetër sinjal se një pjesë e SPAK ka dalë nga kontrolli i Edi Ramës.

Në mandatin e tretë të Edi Ramës, 2021-2025, zyrtarët e lartë të Turqisë ishin në kontakt për disa projekte të mëdha të infrastrukturës. I tillë ishte rasti i tunelit të Llogarasë, që turqit e fituan me rreth 50 milion euro më shumë dhe ai i aeroportit të Vlorës, kur turqit hynë në garë fiktivisht u larguan me 3 milion euro vetëm se kishin dhënë letrat.

Media turke shkruan se qëllimi i avionit dhuratë është të përforcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” mes Turqisë dhe Shqipërisë. Mbetet për t’u parë se si do të përdoret ky avion nga Rama për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Më poshtë shkrimi i plotë i Turkyietoday

Shkrimi i përkthyer i TurkyieToday për avionin dhuratë të Erdogan për Edi Ramën

Kompania flamurmbajtëse e Turqisë, Turkish Airlines, do t’i transferojë qeverisë shqiptare pronësinë e një avioni Airbus A319-115J, një avion i konfiguruar për përdorim qeveritar, me vlerë 11.9 milionë dollarë, në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe dhurimi, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar lidhjet diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve.

Sipas marrëveshjes së publikuar të enjten në Fletoren Zyrtare, avioni, i regjistruar me kodin TC-GVC, me numër serial 1002 dhe i prodhuar në shkurt të vitit 2000, mbetet i certifikuar për operime fluturimi.

Marrëveshja Turqi-Shqipëri synon të forcojë partneritetin strategjik. Në tekstin e marrëveshjes thuhet se dhurimi ka për qëllim të përforcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” mes Turqisë dhe Shqipërisë, të vendosura fillimisht në Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992. Të dyja palët shprehin dëshirën për t’i thelluar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit teknik dhe atij në fushën e mbrojtjes.

Marrëveshja pasqyron angazhimin e përbashkët të dy vendeve për të thelluar partneritetet institucionale në aviacionin civil, logjistikën e mbrojtjes dhe sektorë të tjerë strategjikë më të gjerë, duke shërbyer njëkohësisht edhe si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për zhvillimin rajonal dhe përpjekjet integruese të Shqipërisë.

Avioni do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar për palën përfituese, ndërsa Turqia do të mbulojë të gjitha kostot e transferimit.

Varianti VIP A319 i shtohet flotës shqiptare

Airbus A319-115J është një variant i personalizuar i modelit standard A319-100, pjesë e familjes A320, një nga seritë e avionëve me një korridor më të përdorura në botë.

Avioni ka një peshë maksimale në lëvizje në pistë prej 75,900 kilogramësh dhe një peshë bazë bosh prej 44,790 kilogramësh.

Ai është i pajisur me dy motorë CFM56-5B7/P, secili me mbi 7,000 cikle fluturimi të mbetura, dhe ka të instaluar sistemin AS400 airshoë, ndërsa nuk disponon sisteme argëtimi apo lidhjeje gjatë fluturimit.

Edhe pse A319-115J nuk është një klasifikim tregtar që përdoret në oraret publike të fluturimeve, ky variant shfaqet shpesh në flotat ushtarake, qeveritare ose diplomatike, përfshirë ato të vendeve anëtare të NATO-s dhe qeverive aleate.

Në pronësi të fondit sovran turk, Turkish Airlines operon një nga flotat më të mëdha ajrore në botë, me gjithsej 515 avionë sipas të dhënave më të fundit. Brenda kësaj flote përfshihen edhe gjashtë avionë Airbus A319-100, të cilët përdoren esisht për linja të shkurtra dhe të mesme, si dhe për operime rajonale.

Leave a comment

Trending