
Biznesmeni nga Kosova Behgjet Pacolli ka bërë një koment në rrjetet sociale duke lënë të nënkuptohet se ka fituar gjyqin për aeroportin e Vlorës ndaj ish-ortakut të tij, Valon Ademi, që e kishte paditur në Gjykatën e Tiranës.
Pacolli thotë se prej ditës së sotme “aeroporti i Vlorës i është rikthyer normalitetit institucional dhe rendit ligjor”. Ai thekson se operimi në aeroport do të vijojë tashmë normalisht.
“Po kthehet normaliteti me aeroportin e Vlorës! Akti më i lartë i përgjegjësisë qytetare dhe patriotike është kontributi ndaj familjes, shoqërisë dhe shtetit përmes punës së ndershme, profesionale dhe respektimit të parimeve të drejtësisë. Drejtësia, ndonëse shpesh përballet me sfida dhe procese të vështira, ajo mbetet universale dhe e pashmangshme në zbatimin e saj.
Është një ndjenjë krenarie për një qytetar kur drejtësia në vendin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme. Nga sot, në Vlora International Airport, rikthehen normaliteti institucional, rendi ligjor dhe besimi duke i falënderuar drejtësisë!” – shkruan Pacolli.
Behgjet Pacolli, pronar i “Mabco Construction S.A.” nisi një përplasje në gjykata, por edhe në media, me ortakun e tij Valon Ademi pronar i “2A Group” për shkak të ndarjes së aksioneve për aeroportin e Vlorës.
Ademi kishte fillimisht 2% të aksioneve në Aeroportin e Vlorës. Pas tërheqjes së kompanisë turke, “Yda”, ata ia shitën Pacollit aksionet e tyre për 4200 euro. Ademi pretendoi se mes tij dhe Pacollit kishte një kontratë që atij t’i kalonin 47% e aksioneve. Pacolli refuzoi dhe e dërgoi çështjen në gjykatë.



Leave a comment