
Nga Flavio Qarri
Që Rama ka rënë kjo nuk është më çështje në diskutim. 14 miliard euro të vjedhura nën mbikqyrjen speciale të prokurorisë speciale janë një shifër aq e madhe sa edhe pse e dimë që është fakt tingëllon e pabesueshme. Dashuria toksike me krimin e organizuar është në ato nivele sa shërbimet inteligjente nuk dallojnë më cilët janë zyrtarët e cilët mafiozët. Dhe meqë jemi te shërbimet, alarmi i kuq është djegur duke ulëritur për shitjen e vendit te interesa që fillojnë nga Rusia e deri në Iran me ndalesa në vende me sanksione. Por perëndimi ka lëvizur.
Arsyeja pse ai është ende kryeministër qëndron tek investimi i madh që ka bërë në dy drejtime. Propaganda mediatike që ka helmuar praktikisht 95% të hapësirës publike. Sulmi barbar ndaj çdo faktori opozitar.
Para se shqiptarët të tundin sheshet, detyra e parë qytetare që ka secili prej nesh, ata që janë të lirë të paktën, është të mos heshtin, as në rrjete sociale. Të flasin, të denoncojnë, të tregojnë me gisht. Të tregojnë kur e dallojnë mashtrimin. Nuk mjafton nënqeshja ironike e as injorimi. Kontestimi është veprim. Në kampin opozitar situata duket po aq keq. Fragmentarizim, infiltrim, kompleksim, përndjekje e shumëçka tjetër.
Përpjekjet e mëdha të PD për front janë ndeshur diku me ofendime, diku me tallje dhe diku me shërbim direkt ndaj Ramës. Ekzemplar është Qori i Lëvizjes Bashkë në emërtim e tek pull në veprim. Nga ana tjetër krijohet përshtypja sikur kontaktet perëndimore të Lapajt e Shehajt u kanë thënë që do bjerë Rama dhe i gënjen mëndja që do e kenë Kryeministrinë secili për vete. Ëndrra të një nate dimri.
Dy janë rrugët. Opozita politike duhet t’i lërë mënjanë vanitetet dhe kalkulimet. Qoftë edhe nëpërmjet një marrëveshje bujare ata të bashkohen e të dalin përballë Ramës. Ndoshta me një lidership qytetar ekstrapolitik nëse besimi te palët është i ulët.
Skenari i dytë është rruga e vështirë por e ndritur për PD. Diçka si udha që propozonte kolegu Hysni Gurra. Një PD që nuk bën më kompromis. Me asgjë dhe askënd. Një PD që nuk pret më vanitetin e filizave plangprishës. Një PD agresive me demokratë agresivë. Me ideologji. Një PD që para se të zbresë në shesh të bllokojë Bruksel e Washington me tragjedinë që u ka rënë shqiptarëve.
Rrugë të tjera mbajnë Ramën dhe ca muaj më shumë në pushtet e mbi të gjitha nuk na japin garanci se rimëkëmbja e Shqipërisë së lirë do të jetë e shpejtë.



Leave a comment