Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka përfshirë Shqipërinë në listën e 75 vendeve për të cilat do të pezullohet përkohësisht përpunimi i vizave për emigrantë drejt Shteteve të Bashkuara, në kuadër të një rishikimi të gjerë të politikave të emigracionit.

Sipas një memoje të brendshme të Departamentit Amerikan të Shtetit, zyrtarët konsullorë janë udhëzuar të ndalojnë dhe refuzojnë aplikimet që nuk përmbushin kriteret, ndërsa po kryhet një rivlerësim i procedurave të kontrollit dhe verifikimit. Pauza pritet të hyjë në fuqi më 21 janar dhe do të zgjasë për një afat të pacaktuar.

Vendimi lidhet kryesisht me zbatimin e dispozitës së njohur si “barrë publike”, e cila u lejon autoriteteve amerikane të refuzojnë viza për aplikantët që vlerësohen se mund të mbështeten në përfitime sociale apo ndihma publike pas hyrjes në SHBA. Në këtë vlerësim përfshihen faktorë si gjendja shëndetësore, mosha, aftësia në gjuhën angleze, situata financiare dhe nevoja për kujdes mjekësor afatgjatë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott, deklaroi se autoritetet amerikane do të përdorin kompetencat ligjore për të ndaluar hyrjen e emigrantëve që mund të bëhen barrë për sistemin amerikan, duke theksuar se përjashtimet nga kjo masë do të jenë shumë të kufizuara.

Përveç Shqipërisë, në listë përfshihen edhe vende si Rusia, Irani, Afganistani, Brazili, Iraku, Somalia, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe dhjetëra shtete të tjera në Afrikë, Azi, Amerikën Latine dhe Evropën Lindore.

Ky zhvillim vjen në një klimë të tensionuar ndërkombëtare, teksa Trump ka rritur presionin ndaj Iranit dhe ka paralajmëruar veprime të ashpra ushtarake, duke lidhur çështjen e sigurisë kombëtare edhe me politikat e emigracionit.

Masat e reja pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët shqiptarë që kanë nisur ose planifikojnë procesin e emigrimit drejt SHBA-së, duke sjellë vonesa dhe kritere më të rrepta në shqyrtimin e aplikimeve.

Leave a comment

Trending