Edi Rama s’përmbajti euforinë kur tha se është ftuar nga Presidenti Trump në Bordin e Paqes. Por ndryshe nga ç’propagandoi Rama, në Bordin e Paqes ishin ftuar mbi 100 kryetar shtetesh të botës me një ftesë standarde nga Trump. Megjithatë, edhe pse pa asnjë peshë, ky Bord i Paqes të paktën mund t’i japë Ramës rastin që të shkrepi foto me Trump-in. Për fatin e keq të Ramës, edhe kjo mund të mos ndodhë, sepse Izraeli, shkruan The Guardian, po e kundërshton haptazi bordin që supozohet të zgjidhë problemin e Gazës. Tani mbetet për t’u parë, a do të kapi foto Rama me Trump?

The Guardian:

Anëtarë të ekstremit të djathtë të koalicionit qeverisës të Izraelit refuzuan të dielën një plan të mbështetur nga SHBA për qeverisjen e Gazës pas luftës, duke kritikuar kryeministrin e tyre, Benjamin Netanyahu, për dështimin për të aneksuar territorin palestinez dhe për të ngritur vendbanime të reja izraelite në këtë territor.

Pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë për përzgjedhjen e liderëve botërorë që do t’i bashkohen të ashtuquajturit “bord i paqes” për Gazën, ku përfshihen përfaqësues të Turqisë dhe Katarit, të dy vende që kanë qenë kritike ndaj luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, ministri izraelit i Financave nga e djathta ekstreme, Bezalel Smotrich, e përshkroi “mungesën e vullnetit të Netanyahut për të marrë përgjegjësi për Gazën” si “mëkatin fillestar”.

Sipas Smotrich, i cili vetë është kolon në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, kryeministri izraelit duhet, përkundrazi, të “vendosë atje një qeveri ushtarake, të inkurajojë emigrimin dhe vendosjen e kolonëve dhe në këtë mënyrë të sigurojë sigurinë e Izraelit për shumë vite”. 

Shtëpia e Bardhë njoftoi këtë javë krijimin e “bordit ekzekutiv të Gazës”, i cili do të funksionojë nën një “bord më të gjerë paqeje” që do të drejtohet nga Donald Trump, si pjesë e planit të tij me 20 pika për t’i dhënë fund luftës.

Bordi ekzekutiv, i përshkruar si me rol këshillimor, përfshin ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, dhe një diplomat nga Katari, Ali al-Thawadi, së bashku me zyrtarë të tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Duke iu referuar me sa duket Katarit dhe Turqisë, Smotrich shkroi në platformën X: “Vendet që frymëzuan Hamasin nuk mund të jenë ato që do ta zëvendësojnë atë. Ata që e mbështesin dhe vazhdojnë ta strehojnë edhe sot nuk do të kenë asnjë bazë në Gaza. Pikë.

“Kryeministri duhet të qëndrojë i palëkundur në këtë qëndrim, edhe nëse kjo kërkon përballje me mikun tonë të madh dhe me emisarët e presidentit Trump.”

Të dielën, në një përpjekje të dukshme për të ulur tensionet dhe për të vlerësuar hapat e ardhshëm, Netanyahu thirri një takim me partnerët e koalicionit.

Sfida kryesore e kryeministrit është të mbajë nën kontroll aleatët e tij të ekstremit të djathtë, pjesëmarrja e vazhdueshme e të cilëve në qeveri është kyçe për mbijetesën e tij politike dhe të cilët kurrë nuk pranuan armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA, të arritur në tetor të vitit të kaluar.

Vetë Netanyahu kundërshtoi planin të shtunën, duke theksuar se disa nga emërimet “nuk ishin koordinuar me Izraelin dhe binin ndesh me politikën e tij”, pa specifikuar se për kë bëhej fjalë. Ai i kërkoi ministrit të Jashtëm, Gideon Sa’ar, të kontaktojë sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Izraeli ka kundërshtuar më herët ashpër çdo rol të Turqisë në Gazën e pasluftës, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës në tetor 2023.

Përveç emërimit të ministrit të Jashtëm turk në bordin ekzekutiv, Trump ka ftuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të bëhet pjesë e bordit të përgjithshëm të paqes, së bashku me presidentin e Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe presidentin e Argjentinës, Javier Milei. 

Shtëpia e Bardhë tha se plani i Trump do të përfshijë tre struktura: bordin e paqes, të kryesuar nga Trump; një komitet palestinez teknokratësh, të ngarkuar me qeverisjen e Gazës; dhe bordin ekzekutiv të Gazës, i cili do të ketë rol këshillimor.

Komiteti palestinez i teknokratëve mbajti mbledhjen e tij të parë në Kajro të shtunën.

Një projekt-kartë, i dërguar rreth 60 vendeve nga administrata amerikane, u bën thirrje anëtarëve të kontribuojnë me 1 miliard dollarë në para të gatshme nëse duan që anëtarësimi i tyre të zgjasë më shumë se tre vjet, sipas dokumentit të parë nga Reuters.

“Çdo shtet anëtar do të shërbejë për një mandat jo më të gjatë se tre vjet nga hyrja në fuqi e kësaj Karte, subjekt rinovimi nga Kryetari,”thuhet në dokument, i raportuar fillimisht nga Bloomberg News.“Mandati trevjeçar i anëtarësimit nuk do të zbatohet për shtetet anëtare që kontribuojnë më shumë se 1,000,000,000 dollarë amerikanë në fonde cash për Bordin e Paqes brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e Kartës.” 

SHBA njoftoi këtë javë se plani i armëpushimit në Gaza ka hyrë në fazën e dytë, duke kaluar nga zbatimi i armëpushimit në çarmatimin e Hamasit, sulmi i të cilit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 nxiti ofensivën izraelite në Gaza.

Fokusi i fazës së dytë ka kaluar nga thjesht ndalimi i luftimeve në vendosjen e një qeverisjeje tranzitore, çmilitarizimin dhe rindërtimin e territorit, një rritje dramatike e ambicies diplomatike mes dhunës së vazhdueshme nga ushtria izraelite.

Të paktën 451 palestinezë janë raportuar të vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në tetor të vitit të kaluar. Jeta në enklavë mbetet e pasigurt. Ndërsa sulmet ajrore dhe të shtënat janë ngadalësuar, ato nuk janë ndalur. Ndërkohë, stuhitë e fundit e kanë thelluar krizën, duke shkaktuar viktima dhe përmbytje në kampet e zhvendosjes, tashmë të mbingarkuara përtej kufijve të tyre.

Erërat e forta të dimrit rrëzuan mure mbi tenda të brishta që strehonin palestinezë të zhvendosur të martën e kaluar, duke vrarë të paktën katër persona. Të shtunën, një foshnjë 27-ditëshe në Gaza vdiq nga i ftohti ekstrem, duke e çuar në tetë numrin e fëmijëve në rajon që kanë humbur jetën nga hipotermia që nga fillimi i sezonit aktual dimëror, sipas ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Leave a comment

Trending