Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur në maksimum ofensivën e tij ndaj aleatëve tradicionalë të SHBA-së, duke i ekspozuar publikisht, tallur dhe vënë nën presion përmes postimeve të njëpasnjëshme në rrjetet sociale, ku nxjerr mesazhe private të liderëve europianë, i paraqet si në përpjekje të dëshpëruar për ta zbutur dhe shfaq hapur forcën politike e gjeostrategjike të Uashingtonit, në vigjilje të vizitës së tij në samitin e Davosit, ku Groenlanda, tarifat dhe raportet transatlantike pritet të jenë në qendër të përplasjes.

Politico: 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, postoi gjatë natës se bisedën me shefin e NATO-s, Mark Rutte ku tregoi se ishte dakord për një takim në Davos me aktorë kyç për Groenlandën. Më pas publikoi një mesazh të dërguar nga presidenti francez Emmanuel Macron, ndau një hartë të Hemisferës Perëndimore që tregonte Kanadanë (dhe Venezuelën) si amerikane, dhe qortoi Britaninë për dorëzimin e një baze ushtarake në Oqeanin Indian.

Mbani frymën.

“Pata një telefonatë shumë të mirë me Mark Rutte, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, lidhur me Groenlandën,” shkroi Trump.“Ramë dakord për një takim të palëve të ndryshme në Davos, Zvicër. Siç ua shpreha të gjithëve, shumë qartë, Groenlanda është thelbësore për Sigurinë Kombëtare dhe Botërore. Nuk mund të ketë kthim pas, për këtë të gjithë bien dakord!” 

Trump ka shtuar kërcënimet e tij për të marrë Groenlandën ditët e fundit, duke njoftuar se do të vendosë tarifa prej 10 për qind ndaj tetë vendeve europiane që janë mobilizuar për të tentuar të bllokojnë ambiciet ekstraterritoriale të presidentit amerikan.

Njoftimi për tarifat ka shkaktuar një sprint të vazhdueshëm mes liderëve evropianë për të dalë me një përgjigje ndaj Trump-it.

Macron, në një mesazh tekst që Trump e fotografoi dhe e publikoi në rrjetet sociale, me sa duket i shkroi udhëheqësit amerikan: “Miku im, jemi plotësisht në një linjë për Sirinë. Mund të bëjmë gjëra të mëdha për Iranin. Nuk e kuptoj çfarë po bën me Groenlandën. 

“Të përpiqemi të ndërtojmë gjëra të mëdha,” shtoi Macron, teksa përpiqej ta merrte me të mira Trump-in. “mund të organizoj një takim të G7-s pas Davosit në Paris të enjten pasdite. Mund të ftoj ukrainasit, danezët, sirianët dhe rusët në margjina. Le të hamë një darkë bashkë në Paris të enjten para se të kthehesh në SHBA. Emmanuel.” 

Një zyrtar francez pranë Macron konfirmoi se mesazhi ishte autentik.

Si një tregues tjetër se presidenti amerikan dhe aleatët e tij MAGA po e shtojnë retorikën për ndjekjen e supremacisë mbi të gjithë Hemisferën Perëndimore, Trump më pas postoi një hartë të rreme, e shfaqur në sfondin e një fotografie të vërtetë nga një ecje e liderëve europianë drejt Uashingtonit në gusht për të diskutuar Ukrainën, që tregonte Kanadanë, Groenlandën dhe Venezuelën, të gjitha nën flamurin amerikan.

Për ta përfunduar stuhinë e postimeve në rrjetet sociale, Trump më pas e drejtoi vëmendjen te Britania, e cila ka rënë dakord për një marrëveshje për t’i dorëzuar sovranitetin e plotë të Ishujve Chagos Mauritiusit.

Ai e sulmoi Mbretërinë e Bashkuar për “planifikimin për t’i dhënë Ishullin Diego Garcia, vendndodhjen e një Baze Ushtarake jetike të SHBA-së, Mauritiusit, dhe për ta bërë këtë PA ASNJË ARSYE.” 

“Një akt budallallëku të madh” – e cilësoi Trump vendimin e Britanisë së Madhe për t’i dhënë ishullin Mauritiusit.

Leave a comment

Trending