Nga: Ardit Qirici

Filmi I Fundit i Mohikanëve, për ata që e kanë parë dhe e kanë kuptuar, nuk është thjesht një film aksioni apo romance. Ai është një mesazh i qartë për mënyrën se si funksionon jeta, pavarësisht epokave dhe kulturave që njerëzimi përshkon. Historia nuk ndryshon në thelb; ajo vetëm përsëritet në forma më të sofistikuara, më moderne dhe, fatkeqësisht, më të djallëzuara.
Ashtu siç ndodh sot me historinë e qytetit tonë, Korçës.
Dikur, Korça ishte si një fis mohikanësh: me rregulla, me tradita, me dashuri të sinqertë për qytetin dhe një qytetari të ndërtuar mbi vlera, mirësi dhe meritokraci. Ishte një komunitet që ruante me fanatizëm trashëgiminë e vet, që vlerësonte çdo element që e bënte të ndryshëm nga pjesa tjetër e vendit. Një qytet me njerëz të zgjuar, artistë, shkrimtarë, intelektualë — njerëz që përpiqeshin të bënin më të mirën për vendin e tyre.
Në atë kohë, Korça ishte një qytet me rreth 90 mijë banorë, me harmoni, qytetari dhe ndjenjë përkatësie.
Sot, ky qytet flet për zhdukjen e një mënyre jetese.
U thyen rregullat e harmonisë, besnikërisë, nderit, fjalës dhe besimit. Historia tregoi edhe një herë se nuk ecën me drejtësi, por me forcë dhe interesa. Morali u humb në heshtje, ndërsa qyteti u pushtua nga kolonizatorë modernë, jo me shpatë, por me plane, interesa dhe marrëveshje të fshehta.
Korça nuk u zhduk nga dhuna fizike, por nga kultura e imponuar, interesi, teknologjia dhe uniformiteti. U humb kujtesa, u harrua identiteti që dikur trashëgohej me krenari. Zëri u shua.
Shumë prej atyre që nuk e pranuan këtë realitet, emigruan. U larguan duke zgjedhur mes rrënjës dhe globalizmit, mes fitimit dhe ndërgjegjes, duke paguar çmimin e marrëveshjeve që kurrë nuk i kishin nënshkruar. Të tjerë u dorëzuan, duke i hapur rrugë kolonizatorëve dhe grabitqarëve që e transformuan qytetin, duke e tjetërsuar me njerëz të ardhur — ushtarë besnikë të planeve të tyre.
Ky ishte një progres pa shpirt, që shkatërroi ngadalë çdo vlerë të qytetit.
Sot, Korça është një ghost town: shtëpi të mbyllura, pa njerëzit që i ndërtuan, të zëvendësuara nga ndërtesa kolektive që fshijnë identitetin në emër të një progresi të rremë. Gjithçka bëhet për përfitimin e disa individëve të pangopur, të gatshëm të ndryshojnë edhe emrin e qytetit, duke zhvatur kulturën, artin, arsimin, shëndetësinë — çdo fushë të jetës.
Dhe ata pak mohikanë që kanë mbetur, po zhduken çdo ditë në heshtje: për një punësim, për një leje ndërtimi, për një përfitim të vogël që i detyron të jetojnë ndryshe nga paraardhësit e tyre. Nderi dhe vlerat kanë mbetur vetëm kujtime. Ata lodhen, shpërfillen, bëhen të ndihen të vjetër, ndërsa krenaria u fshihet ngadalë.
Pyetja mbetet e njëjtë si atëherë:
kur gjithçka ndryshon, çfarë zgjedh të mos humbasësh?
Sepse të jesh i fundit nuk është humbje, por dëshmi.
Mohikanët e vërtetë sot, në këtë qytet me rreth 20 mijë banorë, po asimilohen dhe po tjetërsrohen nga ata që u kushtëzuan mënyrën e jetesës, standardet, krenarinë dhe nderin. U intimiduan të sillen sipas rregullave të një loje që i bën të ndihen njerëz pa identitet. Nuk patën kurajon t’i tregojnë vendit të vërtetën dhe pranuan rregulla që i tjetërsuan deri në mohim të vetvetes.
Korça, dikur qyteti i traditës, kulturës, arsimit, dijes, aristokracisë dhe qytetarisë, sot është kthyer në një vend ku ligji dhe mënyra e jetesës janë shndërruar në vuajtje nga ata të cilëve dikur u serviloseshim, u buzëqeshnim dhe bënim fotografi.
Pa e kuptuar se ishim mohikanët e fundit të këtij qyteti.
Dhe për interesa të vogla, humbëm identitetin përballë disa palaçove që deri dje përfitonin nga të gjithë ne.
Sot pyetja është e thjeshtë dhe e dhimbshme:
kush janë mohikanët e Korçës?
Nëse dikur Korça ishte ndryshe sepse ishte “mohikane”, sot ajo është thjesht një ghost town, me një pronar që vendos rregullat e jetës së të gjithëve.




You must be logged in to post a comment.