
Pas një sëmundjeje të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 82 vjeçare aktori i mirënjohur Fitim Makashi.
Ngushëllime familjarëve dhe miqve!
I lindur më 10 prill 1944 në Gjirokastër, ai nisi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në vitin 1963 dhe u diplomua në 1967. Për vite me radhë shërbeu si pedagog në ILA, ndërsa paralelisht u angazhua në skenën e Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar). Zyrtarisht, në vitin 1978, u emërua aktor i këtij teatri, ku do të vijonte karrierën për rreth 12 vjet, deri nga mesi i viteve ’90.
Në skenë la role që mbeten në kujtesë: Pedagogu te “Pas provimit të dytë”, Drejtori i fermës te “Ata që duhen”, Beni te “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu te “Dritat e skenës”, Telhai te “Besa”, si dhe Filipoviç te “Inspektori”, i konsideruar si roli i tij i fundit në teatër.
Në kinematografi, hapat e parë i hodhi që në vitin 1967 me një rol episodik te Dueli i heshtur. Më pas vijuan interpretimet në filma të njohur si: Prita (1968), Njësiti gueril (1969), Ndërgjegja (1972), Rrugicat që kërkonin diell (1975), Në fillim të verës (1975), Ilegalët (1976), Nga mesi i errësirës (1978), Intendenti (1980), Gjurmë në kaltërsi (1981), Tre njerëz me guna (1985), Shpella e piratëve (1991) dhe Vdekja e kalit (1992).
Kujtimi i tij do të mbetet i përjetshëm në historinë e skenës dhe filmit shqiptar.





You must be logged in to post a comment.