
Njerëz të ndershëm dhe të mirë. Njerëz që punojnë, që ndihmojnë të tjerët”. Në Porcari, ku me shumë gjasa një kaldajë e prishur zhduku një familje, të gjithë thonë këtë për familjen Kola.
Arti Kola, 48 vjeç, i lindur në Shqipëri, mbërriti në Itali rreth 10 vjet më parë nga Greqia. Pastaj solli me vete gruan e tij Jonida, 43 vjeçe, djalin e tij Hajdar, 22 vjeç, dhe vajzën e tij Xhesika, 15 vjeçe.
Ajo, më e vogla, shkruante poezi. Poezi që siç shpjegon Gioia Giuliani, drejtoreshë e shkollës së mesme në Camigliano (Lucca), “po i mbledhin shokët e saj të klasës. Jessica, siç e quanim ne, ishte një vajzë shumë e ëmbël që ndiqte studimet e saj me pasion dhe përkushtim.”
Ajo shkruante, siç ndoshta bëjnë ende shumë adoleshentë dhe kishte një ëndërr të fshehtë. “Ajo donte të bëhej parukiere, si kushërira e saj që jeton në Padova”, – thotë tezja e saj Mira, e cila nuk pushon së qari.
Hajdari ishte “një djalë shumë i ëmbël dhe punëtor i palodhur. Flisnim shpesh dhe qëllimi i tij i vetëm ishte të ndihmonte familjen dhe prindërit e tij”, – thotë kushëriri i tij Durimi, i cili mbërriti këtë mëngjes nga Modena sapo dëgjoi për tragjedinë.
I riu, i cili kishte studiuar hidraulik në një shkollë të mesme në Lucca, punonte si elektricist për një kompani lokale. “Asnjëherë vonë, kurrë një justifikim. Një djalë i saktë, një punëtor nga një epokë tjetër”, – thotë një koleg.
Arti punonte si bojaxhi. “Ata kishin mbërritur në fshatin Rughi, ku jetonin, disa muaj më parë. Përpara kësaj, ata kishin jetuar në një zonë tjetër të Porcarit”,shpjegon një fqinj. “Ata e kishin blerë shtëpinë 3 vjet më parë dhe po e rinovonin ngadalë. Ishte pothuajse gati. Arti ishte një njeri i mirë që kujdesej për të tjerët”.
Jonida ishte një shtëpiake dhe ia kishte kushtuar jetën familjes së saj. “Ajo vinte të blinte bukë çdo ditë dhe ishte një person shumë i sjellshëm. Kurrë nuk bënte fjalë polemike, por kishte gjithmonë një buzëqeshje për të gjithë”, – e përshkruan atë pronari i dyqanit që ndodhet pak a shumë përballë shtëpisë ku ndodhi tragjedia.
Një tragjedi që goditi një komunitet që nuk e ka harruar një precedent dramatik, kur 34 vjet më parë një familje tjetër me 4 anëtarë u zhduk, gjithashtu nga monoksidi i karbonit.lapsi.al




You must be logged in to post a comment.