Plas skandali në KLSH. Audituesit e çojnë çështjen deri në Bruksel.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni që duhet të garantojë ligjshmëri, transparencë dhe standarde të larta profesionale, është vetë në qendër të një tronditjeje të rëndë institucionale.

Auditues dhe ish-auditues të KLSH-së kanë ndërmarrë një hap ekstrem: kanë denoncuar situatën jo vetëm brenda vendit, por deri në strukturat ndërkombëtare në Bruksel.

Në dokumentin e datës 30 tetor 2025, i cili sipas burimeve qarkullon në nivelet më të larta institucionale, evidentohen sjellje arrogante të kreut të institucionit dhe një frymë e theksuar arbitrariteti në drejtim. Materiali është dërguar Presidentit të Republikës, Kuvendit, komisioneve parlamentare, por edhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, si dhe organizatave ndërkombëtare si SIGMA dhe NDI.

Ky nuk është një hap rutinë. Ky është një alarm.

Kur vetë audituesit, njerëzit që kontrollojnë shpenzimet dhe ligjshmërinë e institucioneve publike detyrohen t’i drejtohen strukturave ndërkombëtare, kjo do të thotë se brenda institucionit ka një krizë të thellë besimi dhe funksionimi.

Dokumenti përmend “material mbështetës mbi problematikat e ngritura”, çka lë të kuptohet se bëhet fjalë për një ankesë të strukturuar, me përmbajtje serioze dhe me pretendime të forta mbi mënyrën e ushtrimit të autoritetit në krye të institucionit.

Përfshirja e Bashkimit Europian dhe organizatave që monitorojnë standardet e qeverisjes publike e ngre çështjen nga një debat i brendshëm administrativ në një problem të standardeve demokratike dhe të pavarësisë institucionale.

Deri në këtë moment, heshtja zyrtare është po aq e rëndë sa vetë denoncimi.

Nëse konfirmohen pretendimet, kemi të bëjmë jo thjesht me tensione të brendshme, por me një deformim të klimës profesionale në institucionin që duhet të jetë modeli i integritetit publik.

KLSH kontrollon të tjerët.
Por sot, pyetja është: kush po e kontrollon KLSH-në?

Trending