Marifetet e Bashkim Ulajt me 147 hektarë tokë, turpi i deputetëve të Shkodrës, policia e Ramës dhe heshtja e Berishës në Rrjoll

147 hektarë tokë për resortin e Bashkim Ulajt, banorët në përplasje me forcat speciale, ndërsa politika mbyll gojën përballë një projekti që bashkon interesa blu e rozë…

Edhe pas vendimit të Gjykatës Administrative në favor të projektit të Bashkim Ulajt, banorët e Rrjollit vijojnë rezistencën kundër ndërtimit të resortit mbi tokat që i konsiderojnë të tyre. Qindra forca policie janë dislokuar në zonë, ndërsa kryeministri hesht dhe opozita shmang përballjen direkte. Projekti, i shpallur “investim strategjik”, po kthehet në një test politik për dy kampet, që ndonëse përplasen në fjalë, duken të bashkuara në heshtje kur bëhet fjalë për oligarkët.

Edhe pas vendimit të Gjykatës Administrative në favor të Bashkim Ulajt, banorët e Rrjollit në Velipojë nuk e kanë ndërprerë protestën kundër projektit për resortin, të firmosur nga Edi Rama me dokumente të dyshuara si të falsifikuara, që sipas tyre u grabit 147 hektarë tokë.
Edhe ditën e shtunë, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me urdhër të kryeministrit Edi Rama, ka vërsulur qindra policë dhe forca speciale kundër banorëve, për t’i larguar nga tokat e tyre dhe për t’i garantuar vazhdimin e punimeve Mulla Bashkimit.

Ndërkohë që banorët e Rrjollit po përballen me dhunën e policisë, kryeministri Edi Rama po hesht. Ai është firmëtari i vendimeve që kanë hapur rrugën për projektin, ndërsa përfitues është klienti i tij Bashkim Ulaj, në shërbim të të cilit është vendosur edhe policia e shtetit.

Në të njëjtën linjë heshtjeje me kryeministrin është edhe Kryetari i PD-së, Sali Berisha. Bashkim Ulaj konsiderohet mik i vjetër dhe përfitues i kontratave publike në kohën e qeverisjes së tij.

Gjatë viteve 2005–2013, Ulaj përfitoi tenderë, toka, koncesione për HEC-e dhe leje ndërtimi për projekte të mëdha, duke u konsoliduar si një nga biznesmenët më të fuqishëm në sektorin e ndërtimit dhe energjisë.

Sali Berisha është pyetur disa herë nga gazetarët përse nuk mbështet protestën e banorëve të Rrjollit dhe përse nuk ka qëndrim të qartë ndaj projektit. Ai është përgjigjur duke hedhur dyshime mbi çështjen e pronësisë dhe duke shmangur përmendjen direkte të emrit të Bashkim Ulajt.

Edhe pse dihet që një vit para prodhimit të dokumenteve kadastrale për projektin, Edi Rama i miratoi Bashkim Ulajt statusin “Investitor Strategjik”, Berisha nuk ka marrë një qëndrim të drejtpërdrejtë mbi këtë fakt.

Po ashtu, ai nuk ka reaguar ndaj dislokimit të rreth 150 forcave policore në zonë për përballimin e protestave.
Sa i përket heshtjes së deputetëve të Shkodrës nga të dyja krahët politikës; Kliti Hoti, Bardh Spahia, Ramadan Lika, Greta Bardeli, Luçiano Boçi, Marjana Koçeku, Xhenis Çela, Onid Bejleri dhe Bujar Raxha, mungesa e tyre në terren është vënë re nga banorët.

Në Shkodër qarkullojnë zëra se projekti ka mbështetje të gjerë politike dhe se reagimet janë të kujdesshme për shkak të lidhjeve të biznesit dhe interesave të përbashkëta./Pamfleti

Trending