– “Perandori” Armand Duka kandidon i vetëm, as garë formale nuk bëhet më!

Nga vitit 2002 deri në ditët e sotme, Vatikani është drejtuar nga 4 Papë të ndryshëm. Janë bërë zgjedhje dhe largime nga posti. Në të njëjtën kohë, Japonia është drejtuar nga 2 Perandorë, ndërkohë që Shqipëria ka pasur mbi 4 kryeministra dhe shumë Presidentë që kanë drejtuar vendin.

Por nëse Perandorët, Mbretërit, Presidentët, Kryeministrat e shumë drejtues të tjerë, në botë dhe Shqipëri ndërrohen, vetëm dikush nuk guxon ta lërë detyrën. Ai është as më pak e as më shumë, por “Perandori” i futbollit në Shqipëri, Armand Duka, i cili drejtorin Federatën Shqiptare të Futbollit që nga vitit i largët i vitit 2002.

Ai është zgjedhur 6 herë në atë post, teksa ditën e hënë, më datë 16 shkurt 2026, ai synon mandatin e 7-të. Duka do të “garojë” me veten, pasi askush s’ka marrë guximin për t’i dalë përpara. Sistemi që ka ngritur në krye të FSHF-së e bën atë automatikisht fitues, duke qenë se ka ngritur një strukturë të mirëfilltë përfitimi, duke e ndarë futbollin dhe votuesit në “shoqata”.

Janë rreth 65 persona me të drejtë vote, nga klubet e Superiores, të kategorisë së parë, të dytë apo edhe vota nga klubet amatore. Statuti i FSHF-së e ka të përcaktuar mënyrën e votimit, që s’lë asnjë hapësirë për garë, pasi votojnë presidentët e klubeve të futbollit, shoqata dhe organizata të futbollit apoedhe përfaqësues të shoqatave rajonalë dhe grupe profesionistësh të sportit.

Koha e gjatë e ka bërë të paprekshëm, duke bërë nderë e duke emëruar në krye të këtyre shoqatave njerëzit e tij. Por, nëse në zgjedhjet e mëparshme ka pasur garë, në shumicën e herëve formale, kësaj herë votimi i 16 shkurtit do të jetë totalisht me vetëm një kandidat.

Për kujtesë të lexuesve, Duka është zgjedhur dhe rizgjedhur plot 6 herë si president i FSHF-së, që nga vitit 2002 deri në zgjedhjet e vitit 2022, teksa me mandatin që do ta marrë nesër, mandati do t’i mbarojë në vitin 2030. Në zgjedhjet e para, Duka kishte kundërshtar z. Mehdi Bushatin, në zgjedhjet e 2006-ës kundërshtar ishte Edmond Haxhia dhe Salvador Kaccaj. Në vitin 2010 kishte përballë Refik Halilin, presidentin aktual të Tiranës, dhe Rudin Vatën.

Sipas FSHF-së, në vitin 2014 si s’ka pasur kundërshtarë, ndërkohë në vitin 2018 ka qenë edhe “lufta” më e madhe e tij me mazhorancën aktuale. Në atë kohë pati akuza dhe kundërakuza mes Dukës dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa në ato zgjedhje, kreu i Federatës ndryshoi edhe rregullat e lojës, duke futur në statut edhe shoqatat. Pikërisht votat e përfaqësuesve të këtyre shoqatave sollën dhe rizgjedhjen e Dukës, që kundërshtar pati ish-kryeministrin e ndjerë Bashkim Fino.

Në zgjedhjet e para 4 viteve, Duka pati kundërshtar trajnerin Sulejman Starova dhe gazetarin Dritan Shakohoxha. Pati dyshime se këto emra ishin fiktiv dhe Duka fitoi lehtësisht, aq sa Shakohoxha nuk mori pjesë në votim.

Duket se, nderët që ka bërë kreu i FSHF-së në drejtimin e gjatë të futbollit ka sjellë këtë situatë, ku askush nuk merr guximin për t’i dalë përpara dhe të thyejë këtë barrikadë apo sistem. Megjithatë, gjatë kësaj kohe, ai ka bashkëpunuar në disa raste në tjetërsimin e stadiumeve dhe fushave të futbollit, aq sa një raport i UEFA-s e nxori Shqipërinë në vend të fundit për fusha futbolli, aq sa betoni ka djegur talente.

Nëse Kombëtarja e madhe krenohet me djemtë që janë lindur dhe rritur në vendet perëndimore, duke u trajnuar dhe luajtur për klubet elitare të Europës, krejt e kundërta ndodh brenda territorit të Shqipërisë. Ka pak ose aspak lojtarë të rritur në klubet shqiptare që arrijnë në nivele të larta, ose kapin Kombëtaren. Madje, klubet shqiptare janë në nivelin më të ulët ndonjëherë, në garat europiane. Vitet e fundit kanë qenë katastrofike, duke qenë se asnjë ekip i Superiores nuk ka kapur grupet.

Champions League as nuk bëhet fjalë, por as Europa League apo Conference League nuk kapen dot nga klubet e Superiores. Por nëse ekipet tona nuk arrijnë deri në fazën e grupeve, krejt e kundërta ndodh me klubet e Kosovës apo të Maqedonisë së Veriut, ku Ballkani e aktualisht Drita kanë shkuar për disa vite me radhë në grupet e Conference League. Aq as Kosova renditet e 45-ta për klubet, ndërkohë që Shqipëria është 10 vende më poshtë!

Megjithatë, askujt s’i bën përshtypje kjo renditje dhe ecuri, pasi nesër të gjithë, përfaqësuesit e këtyre klubeve do të votojnë me sy mbyllur për Dukën, ose sicc kanë votuar këto 24 vite. Do të votojnë edhe për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, ku sërish “kandidatët” e kreut të FSHF-së do të marrin vota. Një strukturë që padyshim duhet të ndryshojë, për t’i dhënë sadopak dinjitet futbollit shqiptar. Nuk mjafton vetëm Komëtarja e madhe, që na ka bërë disa herë krenar, me djemtë që janë lindur, rritur, stërvitur dhe kanë luajtur në vendet europiane. Ata janë një vlerë e shtuar, që padyshim vendi ynë e meriton. Por, duhet një vëmendje nga talentet që kanë lindur në Shqipëri, për ata mijëra e mijëra të rinj, që prindërit e tyre bëjnë sakrifica duke paguar e duke u larguar nga Shqipëria. Por, kjo kohë s’do të vijë nesër, e ndoshta me këtë ritëm, as në vitin 2023.

Vox News

Trending