Vizita e David McAllister në Tiranë artikuloi tre mesazhe të qarta politike nga Bashkimi Europian: çështja Balluku si test i “përgjegjësisë politike”, rënia e Shqipërisë në indeksin e korrupsionit dhe kujdesi me politikat e sigurisë përkundrejt BE..

Supozohej të ishte një vizitë rutinë ajo e David McAllister në Tiranë, por kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian rreshtoi një seri pakënaqësish për Tiranën zyrtare, nga ato që ishin harruar prej kohësh.
Kohët e fundit Rama ka marrë nga Brukseli ose urime, ose përgëzime shoqëruar me hapjen e shpejtë të kapitujve të negociatave, por së fundmi tre shqetësime dolën qartë nga qëndrimet e McAllister: 1. çështja Balluku si test i përgjegjësisë politike, 2. rënia në perceptimin e korrupsionit dhe 3. nevoja për harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian.
Duket sikur negociatat ishin të lehta për t’u hapur në letër, por është ende herët për të festuar.
1. Çështja Balluku, testi i “përgjegjësisë politike”

Duke iu referuar çështjes së Belinda Ballukut, McAllister zgjodhi të mos hyjë në detaje procedurale të hetimit apo të ndryshimit të ligjeve, por e zhvendosi debatin në një plan më të gjerë, atë politik.
“Jam në dijeni të kësaj çështjeje. Kjo nuk është thjesht një çështje juridike, por është edhe një cështje e “përgjegjësisë politike” tha McAllister.
Fjalët “përgjegjësi politike” u kujdes t’i theksojë gjatë përkthimit edhe ambasadori Gonzato, i cili herë pas here konsultohej me McAllister në konferencë. Deklarata lidhet direkt me qëndrimet e qeverisë Rama për dosjen Balluku, futja në një kurs përplasjesh me SPAK dhe GJKKO, zvarritja për votimin e imunitetit të Belinda Ballukut në parlament, ankimimi i pezullimit në Kushtetuese dhe në fund, ndryshimi i Kodit Penal për të shtuar mbrojtjen nga drejtësia.
Në kontrast, qëndron kultura politike e Bashkimit Europian, ku përgjegjësia politike nuk identifikohet vetëm me fajësinë penale, por lidhet me standardin e etikës publike, me dorëheqjen, me ndarjen e pushteteve dhe me parimin për të mos e sulmuar sistemin e drejtësisë. Në këtë kuptim, mënyra se si pushteti reagon politikisht, është po aq e rëndësishme sa edhe rezultati gjyqësor.
McAllister theksoi gjithashtu rolin e përfaqësuesve të Bashkimit Europian në përkrahje të prokurorëve dhe të gjykatësve lidhur me këtë konflikt. “Nuk jemi thjesht vëzhgues të situatës, por edhe po mbështesim institucionet e pavarura” në luftën kundër korrupsionit, u shpreh ai.
I pyetur drejtpërdrejt për ndikimin e kësaj çështjeje në procesin e integrimit, McAllister e përmblodhi me një formulim që lë pak hapësirë për relativizim: “Çështja Balluku është një test kritik i Shqipërisë për adresimin e korrupsionit”.
2. Lufta kundër korrupsionit, ritëm i pamjaftueshëm dhe rënie në perceptim

Shqetësimi i dytë ishte bazuar në të dhëna konkrete të raportit të Transparency International, ku McAllister kërkoi që Shqipëria të ruajë ritmin në luftën kundër korrupsionit, në një kohë kur indekset ndërkombëtare tregojnë regres.
“është e nevojshme të ruani ritmin në luftën kundër korrupsionit” u shpreh ai, duke vijuar: “Shumë është arritur në vitet e fundit, por nuk jemi në nivele të kënaqshme. Javën që kaloi Transparency International publikoi indeksin e perceptimit të korrupsionit dhe Shqipëria fatkeqësisht ra 11 vende në vendin e 91 në botë. Ne besojmë se hapa të tjerë janë të nevojshëm, legjislative dhe cfarë është më e rëndësishme, staf të mjaftueshëm për gjyqësorin dhe jo ndërhyrje politike, përmes një klase politike që duhet të udhëheqë duke dhënë vetë shembullin e para” u shpreh ai.
Perceptimi për rënien e luftës kundër korrupsionit është krijuar nën një klimë tensioni të fortë mes sistemit gjyqësor në njërën anë dhe qeverisë në anën tjetër.
Perceptimi për rënie të luftës kundër korrupsionit është krijuar nga dosjet më të bujshme të zyrtarëve të lartë, përfshirë këtu kryetarin e Bashkisë Erjon Veliaj dhe ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Abuzimet me miliona euro janë tronditëse.
Por nëse publiku po krijon bindjen se të fortët e pushtetit kanë gjithmonë një rrugë shpëtimi, atëherë është normale që perceptimi për dështimin e luftës ndaj korrupsionit.
3. Harmonizimi i politikës së jashtme dhe dimensioni i sigurisë

Pika e tretë, e ngritur si një shqetësim i Parlamentit Europian shkoi përtej adresimit të problemeve të zakonshme të integrimit. McAllister vlerësoi orientimin euroatlantik të Shqipërisë, por theksoi dy herë se harmonizimi me Bashkimin europian duhet të jetë “i plotë”.
“Unë e vlerësoj angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë drejt orientimit EuroAtlantik dhe harmonizimin e plotë të saj, të plotë të politikës se jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Europian. Shqipëria është edhe një partner besnik dhe me vlerë në NATO”.
U duk se me togfjalëshin “harmonizimi i plotë”, përfaqësuesi i politkës së jashtme të Parlamentit Europian i referohet disa qasjeve të Shqipërisë ndryshe nga politika e jashtme e Bashkimit Europian.
McAllister nuk e specifikoi shqetësimin e tij, por pjesëmarrja e Shqipërisë në Bordin e Paqes, vizita e Ramës në Izrael dhe qëndrimet për Netanjahun, projekti “Smart City” me Emiratet e Bashkuara, porti i ri i Durrësit etj janë lëvizje që dukshëm bien ndesh me politikat e jashtme dhe qëndrimet e disa kancelarive të Bashkimit Europian./Lapsi.al




You must be logged in to post a comment.