


Dita e Verës festohet me traditë dhe kulturë në Philadelphia
Më 14 Mars, në ambientet e Kafe Bar Restorant Dajti në Philadelphia, komuniteti shqiptar festoi me shumë entuziazëm Dita e Verës, një festë tradicionale që simbolizon ardhjen e pranverës dhe ringjalljen e natyrës. Aktiviteti u kthye në një moment të bukur bashkimi për shqiptarët e zonës, duke sjellë traditën, kulturën dhe shijet e kuzhinës shqiptare në një atmosferë të ngrohtë dhe festive.
Në kuadër të kësaj feste u zhvillua edhe Panairi i dytë i gatimeve tradicionale shqiptare, i cili tashmë po kthehet në një traditë të bukur për komunitetin shqiptar në Philadelphia. Amvisa dhe pjesëmarrës nga treva të ndryshme shqiptare sollën në tryezë gatime tipike, duke prezantuar pasurinë dhe larminë e kuzhinës sonë tradicionale.
Një nga momentet kryesore të aktivitetit ishte konkursi “Ballokumja më e mirë e vitit 2026”, ku disa amvisa të komunitetit prezantuan ballokume dhe gatime të tjera tradicionale shqiptare. Pas vlerësimit nga juria, fituese e këtij viti u shpall Anila Nuhaj, e cila u vlerësua për përgatitjen e shkëlqyer të ballokumeve dhe për tryezën e pasur me gatime tradicionale.
Juria që përzgjodhi fituesen u drejtua nga shkrimtari i njohur për fëmijë Gaqo Bushaka, ndërsa pjesë e saj ishte edhe një nga shefat e talentuar të kuzhinës shqiptare, Artur Haxhiu nga Berat, i cili kontribuoi me përvojën e tij në vlerësimin e gatimeve tradicionale.
Një tjetër moment i veçantë i aktivitetit ishte edhe konkursi “Piktori i Ditës së Verës”, ku fëmijët dhe të rinjtë patën mundësinë të shprehin talentin e tyre artistik. Përzgjedhjen e pikturës më të mirë do ta bëjë piktori Odise Lakuriqi, i njohur edhe për pikturën murale të realizuar në ambientet e Kafe Dajti.
Atmosferës festive i shtoi bukuri edhe dekorimi i realizuar nga Klubi Artistik Lulet e Majit, të cilat krijuan një ambient pranveror me lule dhe ngjyra të shumta. Gjithashtu, ato u bashkuan për të krijuar një këngë simbolike që do të quhet “Himni i Ballokumes”, duke i dhënë festës një dimension artistik dhe kreativ.
Në panairin e gatimeve tradicionale morën pjesë disa amvisa të njohura të komunitetit shqiptar, mes tyre Kozeta Pani, Mimoza Dervishi, Keti Verdhi, Marinela Verdhi, Marko Verdhi, Zana nga Korça, Monda nga Gjirokastra, si dhe përgatitja tradicionale e flisë nga Kukësi së bashku me vëllezërit Parllaku.
Një prezantim i veçantë ishte edhe Oda e Dibrës, e sjellë nga Haki Collaku, ku u prezantuan pamje nga traditat e Dibrës dhe gatime tradicionale të kësaj treve.
Pjesë e panairit ishin gjithashtu edhe Vëllezërit Osmanollaj, të cilët janë gjithmonë pranë komunitetit shqiptar dhe mbështesin aktivitetet kulturore. Në këtë aktivitet ata sollën për komunitetin shqiptar, falas, Birra Toska, duke kontribuar në atmosferën festive të kësaj dite të veçantë.
Organizimi i këtij aktiviteti u bë i mundur falë mikpritjes dhe përkushtimit të pronarëve të Kafe Bar Restorant Dajti: Ymer Dede, Nikola Tollumbi , Gezim dhe Ismet, të cilët bënë të mundur organizimin e kësaj feste të bukur për komunitetin shqiptar në Philadelphia.
Festimi i Ditës së Verës në Philadelphia tregoi edhe një herë se traditat shqiptare vazhdojnë të ruhen dhe të festohen me krenari edhe larg atdheut, duke bashkuar komunitetin dhe duke përcjellë kulturën shqiptare tek brezat e rinj.
Gëzuar Ditën e Verës! 🌸🇦🇱






Leave a comment