Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, deklaroi se presidenti Donald Trump nuk ka ndërmend të përfshijë vendin në një luftë afatgjatë me Iranin.

Në një prononcim për gazetarët të mërkurën, Vance u shpreh i bindur se administrata aktuale nuk synon përsëritjen e konflikteve të gjata të viteve të fundit. “Ju garantoj se presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk është i interesuar të na përfshijë në konflikte të zgjatura,” tha ai, duke shtuar se e njeh mirë mënyrën se si Trump mendon për sigurinë kombëtare.
Duke komentuar dorëheqjen e ish-zyrtarit të lartë të antiterrorizmit, Joe Kent, Vance e cilësoi atë si një zhvillim “pozitiv”, duke theksuar se anëtarët e administratës duhet të zbatojnë vendimet e presidentit, edhe kur nuk janë dakord me to.
Kent njoftoi dorëheqjen e tij një ditë më parë, duke përmendur mospajtime lidhur me luftën në Iran. Ndërkohë, disa kritikë kanë vënë në pikëpyetje qëndrimin e vetë Vance për këtë konflikt.
Në një fjalim të mbajtur në Michigan, zëvendëspresidenti theksoi se presidenti dëgjon opinione të ndryshme, por pasi merret një vendim, detyra e ekipit është ta zbatojë atë sa më me efektivitet.
“Kur je pjesë e ekipit dhe nuk mund të kontribuosh në zbatimin e vendimeve, atëherë është më mirë të largohesh,” u shpreh ai, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit brenda administratës.




Leave a comment