Gjykata Federale në SHBA ka vendosur sot hapjen e te gjitha filialeve të Zërit të Amerikës (VOA) dhe nisjen e transmetimeve të lajmeve. Vendimi u mor nga gjykatësi Royce C. Lamberth, i cili vlerësoi se administrata e Presidentit Donald Trump kishte shkelur mandatet e Kongresit duke zvogëluar ndjeshëm stafin dhe burimet e agjencisë.

Gjykatësi i dha Agjencisë Amerikane për Median Globale një javë kohë për të hartuar një plan për transmetimin e Zërit të Amerikës. Një javë më parë, Lamberth tha se Kari Lake, e cila kishte qenë zgjedhja e Trump për të drejtuar agjencinë, nuk kishte autoritetin ligjor për të bërë atë që kishte bërë në Zërin e Amerikës sepse nuk kishte konfirmimin e Senatit.

Gjykatësi e rrëzoi vendimin e administratës për të pushuar 1042 nga 1147 punonjësit e Zërit të Amerikës dhe për t’i zvogëluar transmetimet e saj të kërkuar nga Kongresi, lëvizje që e detyruan Zërin e Amerikës të kufizonte ndjeshëm programet e saj. Lamberth i quajti lëvizjet arbitrare dhe tha se qeveria nuk i mori parasysh ligjet federale që përcaktojnë se cilat gjuhë dhe rajone duhet t’u shërbejë Zëri i Amerikës.

“Të pandehurit nuk kanë ofruar asgjë që i afrohet një baze parimore për vendimin e tyre”, shkroi Lamberth.

Lake e kishte denoncuar vendimin e Lamberth të 7 marsit, duke thënë se do të apelohej. Që atëherë, Trump emëroi Sarah Rogers, nënsekretaren e shtetit për diplomacinë publike, për të drejtuar USAGM. Kjo kërkon miratimin e Senatit, një hap që nuk u ndërmor me Laken.

Patsy Widakuswara, shefe e zyrës së Shtëpisë së Bardhë të Zërit të Amerikës dhe paditëse në padinë për ta rikthyer atë, tha se është thellësisht mirënjohëse për vendimin.

“Ne mezi presim të fillojmë riparimin e dëmit që Kari Lake i ka shkaktuar agjencisë sonë dhe kolegëve tanë, të kthehemi në mandatin tonë kongresional dhe të rindërtojmë besimin e audiencës globale të cilës nuk kemi qenë në gjendje t’i shërbejmë gjatë vitit të kaluar.

E dimë që rruga për të rivendosur operacionet dhe reputacionin e Zërit të Amerikës do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Shpresojmë që populli amerikan do të vazhdojë të mbështesë misionin tonë për të prodhuar gazetari, jo propagandë,” tha ajo për Associated Press.

Zëri i Amerikës ka transmetuar mbulim lajmesh në vende anembanë botës që nga formimi i tij në Luftën e Dytë Botërore, shpesh në vende pa traditë të shtypit të lirë. Përpara urdhrit ekzekutiv të Trump, VOA kishte operuar në 49 gjuhë të ndryshme, duke transmetuar për 362 milionë njerëz. /LAPSI.al

Leave a comment

Trending