
Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare themeluesi i partisë “Lega Nord” në Itali, Umberto Bossi. Ministër, senator, anëtar i parlamentit italian dhe anëtar i Parlamentit Europian, ai themeloi partinë ku ishte sekretar federal deri në vitin 2012 dhe më pas president i përjetshëm. Ai shërbeu gjithashtu edhe si ministër për reformat e federalizmit.
I zgjedhur për herë të parë në Senat në vitin 1987, Bossi hyri në qeveri për herë të parë në vitin 2001, kur u emërua Ministër për Reformat Institucionale dhe Decentralizimin në qeverinë e Berlusconi II.
“Corriere della Sera” shkruan se Bossi u shtrua në terapi intensive në spitalin e Varese ditën e mërkurë, ku gjendja e tij u duk menjëherë kritike. Gjendja e tij u përkeqësua këtë të enjte ku ndërroi jetë në orën 8:30 të mbrëmjes.
I lindur më 19 shtator 1941 në Cassano Magnago në provincën e Vareses, ai filloi përfshirjen e tij në politikë në fillim të viteve 1970 në grupin komunist “Il Manifesto”, Partinë e Unitetit Proletar për Komunizmin dhe ARCI. Por, pas disa vitesh ai u interesua për kauzën dhe idetë autonomiste dhe federaliste pas takimit të tij me Bruno Salvatorin, i cili ishte shumë i afërt me Unionin Valdôtaine.
Në vitin 1979 ai u takua me Roberto Maronin, me të cilin filloi një partneritet të gjatë politik. Në fillim të viteve 1980 ai themeloi “Lega Autonomista Lombarda”, e cila më vonë do të bëhej “Lega Lombarda”. Ai u zgjodh sekretar i saj kombëtar deri në vitin 1993 përpara se t’i jepte jetë projektit “Lega Nord”. Ai shërbeu si sekretar i saj për afërsisht 20 vjet.
Në ato vite, Bossi filloi të fliste hapur për projektin e pavarësisë për Padaninë, duke organizuar demonstrata të shumta dhe duke themeluar disa media si RadioPadania dhe TelePadania.
Në vitin 1994, pati një lidhje e shkurtër me “Forza Italia”, partinë e sapoformuar të Silvio Berlusconit, por të dy vazhduan të kishin marrëdhënie të përziera deri në fillim të viteve 2000, me formimin e koalicionit Casa delle Libertà që fitoi zgjedhjet e përgjithshme.

Në vitin 2001, Bossi u bë Ministër për Reformën Institucionale dhe Decentralizimin. Në vitin 2004, Bossi pësoi një goditje në tru dhe gjendja e tij u bë menjëherë shqetësuese. Pas një qëndrimi të gjatë në spital dhe një shërimi po aq të gjatë, ai ndërpreu përkohësisht aktivitetin e tij politik. Sëmundja ia kompromentoi në mënyrë të pariparueshme shëndetin.
Në vitin 2008, ai u riemërua Ministër për Reformat Institucionale në qeverinë e katërt të Berluskonit. Më 5 prill 2012, pas skandalit mbi përvetësimin e dyshuar të fondeve të partisë për familjen e tij, Bossi njoftoi çuditërisht dorëheqjen e tij si sekretar i Lega Nord, një pozicion që e kishte mbajtur që nga viti 1989. Ai u pasua si sekretar federal nga triumvirati i Roberto Maroni, Roberto Calderoli dhe Manuela Dal Lago.

Ai u zhduk nga skena për rreth një vit derisa kandidoi përsëri në zgjedhjet paraprake të Lega Nord në vitin 2013, por u mund nga ylli në ngritje, Matteo Salvini.
“Kapiten” Salvini, në mospajtim të plotë me senatorin, zgjodhi menjëherë një kthesë nacionaliste me qëllim fitimin e mbështetjes edhe në Italinë Jugore.
Në zgjedhjet evropiane të vitit 2024, Bossi njoftoi çuditërisht votën e tij për Marco Reguzzoni, një ish-deputet të Lega Nord që kandidonte si kandidat i pavarur për Forza Italia, duke i nxitur ndjekësit e tij të bënin të njëjtën gjë.
Gjatë jetës së gjatë të themeluesit të Ligës, ai u përball me disa procedura ligjore, duke u akuzuar për shkelje të ligjit për financimin publik të partive politike, deri te dënimi i tij për shpifje të flamurit italian.

I liruar nga akuzat pas një gjyqi për shpifje ndaj Presidentit të atëhershëm Oscar Luigi Scalfaro, ai u dënua në vitin 2018 nga Gjykata e Kasacionit me 1 vit e 15 ditë burg për shpifje ndaj Presidentit të Republikës Giorgio Napolitano.
Megjithtë ishte një hetim i vitit 2012 që dëmtoi rëndë aktivitetin e tij politik. Ai u vu nën hetim nga prokuroria e Milanos me akuzat për mashtrim kundër shtetit për shkak të skandalit të rimbursimeve zgjedhore.
Ai u dënua me 1 vit e 10 muaj për përvetësim të padrejtë të rreth 49 milionë eurove nga shteti. Në gusht 2019, akuza për mashtrim u rrëzua, por Gjykata e Lartë mbështeti konfiskimin e 49 milionë eurove nga Lega, ndërsa konfiskimet personale u rrëzuan.

Lista e reagimeve pas ndarjes nga jeta është e gjatë. “Italia ka humbur një udhëheqës politik të apasionuar dhe një demokrat të sinqertë. Presidenti i Republikës shpreh afërsinë e tij me familjen dhe me të gjithë ata që ndanë angazhimin e tij ndaj partisë së tij” – thuhej në një deklaratë të Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella.
“Umberto Bossi, me pasionin e tij politik, shënoi një fazë të rëndësishme në historinë italiane dhe dha një kontribut themelor në formimin e qendrës së parë të djathtë. Në këtë moment pikëllimi të madh, jam pranë familjes dhe komunitetit të tij politik” – shkroi kryeministrja Giorgia Meloni.
“I gjithë komuniteti i Lega është thellësisht i tronditur dhe i trishtuar. Guxim, gjenialitet, pasion, punë e palodhur, dashuri, revolucion, rrënjë, liri. Isha 17 vjeç kur të takova dhe ti më ndryshove jetën. Sot jam 53 vjeç dhe të përshëndes, në Ditën e Babait, me një lot, por me të njëjtën mirënjohje, të njëjtën krenari dhe vendosmëri për të mos u dorëzuar kurrë, siç na mësove” shkroi kreu i Lega, Matteo Salvini në X. ©LAPSI.al




Leave a comment