Irani po përpiqet të luajë kartën më të fortë gjeopolitike të momentit, kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit. Në një deklaratë me tone sfiduese ndaj Donald Trump, Teherani ka bërë të ditur se është gati të lidhë marrëveshje të veçanta me vendet europiane, aziatike dhe arabe që duan të përdorin këtë korridor jetik për transportin e naftës.

Deklarata u bë nga Kryetari i Këshillit Qeveritar të Informacionit, Elias Hazrati, i cili tha se Irani kontrollon plotësisht Ngushticën e Hormuzit dhe se tashmë është gati të negociojë drejtpërdrejt me vendet që varen nga kjo rrugë detare.

Irani kontrollon plotësisht Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump flet pa kuptim për Ngushticën e Hormuzit. Sot, kemi vendosur që mund të shpallim një marrëveshje për Ngushticën e Hormuzit. Do t’i ftojmë vendet evropiane, aziatike dhe arabe që duan ta përdorin atë për të lidhur një marrëveshje me ne”, tha ai në transmetimin e transmetuesit shtetëror të Iranit.

Mesazhi është i qartë: Teherani po u ofron vendeve që kanë interes jetik për naftën e Gjirit një rrugë direkte marrëveshjeje me Iranin, duke anashkaluar presionin amerikan dhe duke sfiduar hapur linjën e Trumpit.

Më herët, presidenti amerikan deklaroi në një fjalim drejtuar kombit se lundrimi përmes Ngushticës së Hormuzit do të rikthehet plotësisht sapo të përfundojë konflikti me Iranin, duke theksuar se vetë Teherani ka interes të vazhdojë shitjen e naftës.

Trump shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për tranzitin nëpër Hormuz dhe se përgjegjësia për ta rikthyer lundrimin bie mbi vendet që e përdorin këtë rrugë për transportin e energjisë.

Në këtë përplasje, Irani duket se po përpiqet të kthejë krizën në avantazh diplomatik. T’u ofrojë europianëve, aziatikëve dhe vendeve arabe një marrëveshje direkte me Teheranin, duke e vënë Trumpin përballë faktit se çelësi i energjisë globale nuk hapet vetëm me forcë ushtarake. ©LAPSI.AL 

Leave a comment

Trending