
Tre senatorë demokratë i kanë bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të ndalojë prodhuesit kinezë të automjeteve të ndërtojnë makina në SHBA.
Ata kanë bërë thirrje që Trump të bllokojë edhe importet e automjeteve kineze që montohen në Meksikë ose Kanada.
Senatorët Tammy Baldwin, Elissa Slotkin dhe Chuck Schumer iu referuan deklaratave që Trump kishte bërë në janar në Detroit, ku kishte thënë se është i hapur ndaj mundësisë që kompanitë kineze të automobilave të ndërtojnë fabrika në Shtetet e Bashkuara.
“Duhet të jemi të qartë se një ftesë për prodhuesit kinezë të automobilave për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara do t’u jepte atyre një avantazh ekonomik të pakapërcyeshëm, të cilin prodhuesit amerikanë nuk do të mund ta tejkalonin, dhe do të nxiste një krizë të sigurisë kombëtare që nuk do të mund të zhbëhej kurrë”, thuhet në letrën e senatorëve drejtuar Trump, e raportuar fillimisht nga Reuters.


Leave a comment