
Kryeministri Edi Rama në Asamblenë e PS-së njoftoi se planifikohet që familjet me ndihmë ekonomike do të pajisen me një kartë. Sipas tij, ata do ta përdorin kartën për të blerë ushqime, sipas listës që do të përcaktohet, për të shmangur abuzimet.
“E pra, e bëmë këtë. Ne i kemi rritur mundësitë. Tani si ndodh që ne rrisim mundësitë dhe korrupsioni qenka rritur? Se nuk shkojnë këto të dyja. Në një vend ku rritet korrupsioni, nuk rriten mundësitë e rishpërndarjes. Nuk ndodh kjo. Nuk rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit. Nuk rritet numri i përfituesve nga garat publike. Nuk rriten pagat, nuk rriten pensionet kështu siç po i rrisim ne.
Dhe siç ju kemi thënë: në janar filloi rritja X, janarin tjetër do të jetë X (herë 2), janarin e 2028-ës do të jetë X (herë 3), janarin e 2029-ës do të jetë X (herë 4) dhe në 2030 do të jetë X (herë 5), dhe do të arrijmë te ato nivele pensionesh që janë të arsyeshme, jo të mjaftueshme, por të arsyeshme për Shqipërinë. Ndërsa për informalitetin ke shumë të drejtë, por edhe këtu kanë ndryshuar shumë gjëra, prandaj kemi edhe më shumë të ardhura, sepse ndryshe… Megjithatë do të vazhdojmë. Po bëjmë një projekt të ri.
Kemi krijuar një kompani publike në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara që quhet ‘AlbTrace’, që është për ndjekjen dhe gjurmimin e produkteve, por jo vetëm. Dhe një program tjetër që besoj do ta fusim shpejt është një program që do të na sigurojë që, duke filluar nga familjet në ndihmë ekonomike, t’i pajisim me një kartë, të cilën ata ta përdorin për të marrë ushqimet në çdo vend që ka kasë.
Dhe kështu ne të garantojmë që gjithçka që paguan shteti për ndihmë ekonomike shkon për ushqimet bazë sipas listës që do të bëhet dhe nuk shkon as për raki, që merr ndonjë burrë i dehur, as për bixhoz. Ky është vetëm hapi i parë dhe kjo është vetëm kategoria e parë, sepse pastaj do të kemi mundësi, me këtë sistem, që në rast se do të duhet bërë një paketë mbrojtëse, t’ia japim tek karta.
Me këtë sistem do të bëjmë edhe gjithë mbështetjet për ushtarakët, për punonjësit e policisë, për të tjerë që shërbejnë jashtë qytetit, etj. Dhe kjo, te informaliteti, do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm.
Pra, nuk është një kartë e kufizuar. Sipas kategorive, karta aty ka, për shembull, të gjithë pagën“-, tha Rama



Leave a comment