I fshehur vetëm në një grykë malore pas vijës së armikut, piloti amerikan i plagosur e dinte saktësisht se çfarë duhet të bënte: të mbijetonte që të arratisej.

Për më shumë se 1 ditë, oficeri i sistemeve të armëve të avionit “F-15E Strike Eagle” i cili u rrëzua brenda Iranit, i shpëtoi kapjes nga forcat iraniane që po pushtonin territorin. Në një moment, ai u ngjit në një terren të thyer deri në një kreshtë 7,000 metra mbi nivelin e detit, i pajisur me pak më shumë se një pistoletë, një pajisje komunikimi dhe një sinjalizues gjurmimi.

Pikërisht në malet e larta, një ekip komandosh amerikanë, i shoqëruar nga avionë amerikanë që hidhnin bomba për të pastruar zonën, u turrën për të gjetur oficerin, duke e shpëtuar atë dhe veten e tyre.

Dy zyrtarë amerikanë i treguan CNN detaje të operacionit të rrezikshëm. Sipas tyre në operacion u përfshinë qindra personel ushtarak dhe të inteligjencës amerikane. Në operacion u bënë pjesë Forcat e Operacioneve Speciale që kryen misionin e suksesshëm të shpëtimit dhe operativë të CIA-s që organizuan paraprakisht një fushatë mashtrimi për të ngatërruar pengmarrësit e mundshëm iranianë.

Operacioni pati disa momente të vështira. Dy avionë shpëtimi u bllokuan në tokë duke detyruar forcat speciale që t’i hidhnin ata në erë që të mos binin në duart e iranianëve. Për të tërhequr komandot dhe pilotin u dërguan avionë të tjerë ndërsa zona u bombardua rëndë për të ndalur avancimin e iranianëve.

“E GJETËM!” – shkroi Presidenti Donald Trump në mediat sociale pasi e kaloi të shtunën duke monitoruar operacionin nga Shtëpia e Bardhë. “Gjatë disa orëve të fundit, Ushtria e Shteteve të Bashkuara kreu një nga Operacionet më të guximshme të Kërkimit dhe Shpëtimit në Historinë e SHBA-së.”

Videoja dhe imazhet e publikuara nga media shtetërore iraniane dhe të gjeo-lokuara nga CNN tregojnë rrënojat e djegura të disa avionëve në provincën jugore të Esfahan në Iran. Në pamjet filmike, duket një fushë e madhe me mbeturina avionësh ende duke nxjerrë tym. Pjesë të shkatërruara të avionëve, përfshirë ato që duket se janë motorë turbohelikë, janë gjithashtu të dukshme. Nuk është e qartë se çfarë lloj avioni janë ose kujt i përkasin.

Media shtetërore pretendoi se ishin forcat iraniane që qëlluan avionin e parë në imazhe. Në një postim në Truth Social, Presidenti Trump nuk përmendi humbjet e avionëve, por tha se asnjë anëtar i shërbimit amerikan nuk u plagos ose u vra në operacion. CNN i është drejtuar për një koment ushtrisë amerikane.

Ushtria e Iranit tha se forcat amerikane përdorën një pistë uljeje të braktisur për të kryer operacionin. Një analizë e imazheve satelitore nga CNN konfirmoi praninë e një piste të vogël uljeje rreth zonës ku u morën imazhet. Imazhet përkojnë rreth 50 kilometra nga qyteti iranian i Esfahanit. CNN arriti të gjeolokonte videon dhe imazhet duke përputhur vargmalin pas rrënojave me imazhet satelitore.

Gara për të gjetur dhe rikuperuar oficerin u bë një përpjekje gjithëpërfshirëse për administratën amerikane pasi u rrëzua avioni luftarak. Piloti i aeroplanit u gjet shpejt, por Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni refuzuan të konfirmonin shpëtimin pasi një mision i dytë, më i zgjatur për të gjetur shokun e tij të ekuipazhit ishte duke u zhvilluar.

Të dy ishin hedhur nga aeroplani kur u goditën, por vendndodhja e oficerit të sistemeve të armëve nuk dihej. Pasi pësoi lëndime gjatë hedhjes, ai u fsheh në grykë mali për të shmangur zbulimin nga iranianët, udhëheqësit e të cilit kishin vënë një shpërblim për kapjen e tij.

Komunikimi i tij më forcat amerikane ishte sporadik, pasi përpiqej të shmangte zbulimin nga forcat iraniane. Në Uashington, Trump e kaloi të premten në Krahun Perëndimor, duke lëvizur midis Zyrës Ovale dhe dhomës së ngrënies ngjitur për të marrë përditësime mbi misionin për të gjetur oficerin. Rrëzimi i F-15E, së bashku me aftësinë e Iranit për të goditur një aeroplan tjetër – një A-10 Warthog – dhe një helikopter amerikan që ndihmonte në misionin e kërkim-shpëtimit, duket se minon pretendimet e administratës së tij për dominim ajror mbi Iranin.

Trump nuk luajti golf të shtunën, duke qëndruar në Shtëpinë e Bardhë pasi ishte në zhvillim operacioni për të hyrë në Iran për të gjetur pilotin e rrëzuar. Në të njëjtën kohë që planifikuesit ushtarakë po nxitonin të hartonin pjesët e operacionit, një përpjekje paralele ishte duke u zhvilluar nga CIA. Operativët e inteligjencës amerikane punuan për të qarkulluar informacion brenda Iranit se të dy anëtarët e ekuipazhit ishin gjetur, duke kërkuar të ngatërronin anëtarët e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, të cilët po kërkonin urgjentisht oficerin e rrëzuar.

Ndërkohë, Izraeli shtyu disa sulme të planifikuara në Iran për të mos ndërhyrë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit, tha një zyrtar izraelit për CNN, dhe ofroi mbështetje të inteligjencës, sipas dy burimeve izraelite. Ishte CIA ajo që në fund identifikoi vendndodhjen e saktë të oficerit dhe ndau informacionin me ushtrinë. “Ky luftëtar i guximshëm ishte pas vijave të armikut në malet e pabesë të Iranit, duke u ndjekur nga armiqtë tanë, të cilët po afroheshin gjithnjë e më shumë me orë, por nuk ishte kurrë vërtet vetëm”, – shkroi Trump. ©Përgatiti LAPSI.al

Leave a comment

Trending