Skandali me aeroportin e Vlorës, bllokimi i punimeve dhe pasiguria e pistës së avionëve në kantier kanë tërhequr vëmëndjen e BBC në episodin e emisionit “Assignment”, që ka udhëtuar drejt Shqipërisë. Gazetarja Emily Wither e BBC bën një përpjekje për të parë nëse Shqipëria do të arrijë të ribrandojë veten dhe nëse ëndrra për turizëm luksoz do të bëhet realitet, si pjesë e një serie investigimesh dhe udhëtimesh në zemër të ngjarjeve globale për BBC.

Por ndërsa përcjell një pasqyrë të shkurtër të historisë së Shqipërisë dhe bukuritë e saj natyrore, gazetarja thotë se Shqipëria po përpiqet të shkëputet nga e kaluara dhe të transformojë imazhin e saj, nga një vend i njohur për korrupsionin në një destinacion turizmi luksoz.

Mes investitorëve të shumtë përmendet interesi i Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner, të cilët synojnë të ndërtojnë resortin e famshëm në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.

Por këtu gazetarja Emily Wither has në kantierin e lënë në mes të aeroportit të Vlorës, terminali i braktisur, ndërsa pista e aeroportit e papërfunduar, që për më tepër është mbushur me ujë.

Aeroporti i Vlorës, foto ilustruese
Aeroporti i Vlorës, foto ilustruese

Gazetarja e BBC: Jemi këtu pranë një gardhi me tela me gjemba, pranë atij që duket si një pistë dhe mund të shohësh që punimet kanë ecur, ka një kullë vrojtimi, është ai që duket si një terminal, por ka ende punë për të bërë. A nuk pritej që të ishte hapur tashmë?

Xhemal Xherri, biolog: Po, në fakt, qeveria çdo vit premton se do ta hapë këtë vit e vitin tjetër, por fatkeqësisht nuk po përparojnë për shumë arsye. Herë pas here, siç mund ta shihni, kjo zonë është e përmbytur.

Gazetarja e BBC: Për momentin është e përmbytur. Dhe nuk e kuptoj si mund të ndërtosh një pistë në një terren që është i lagësht.

Xhemal Xherri, biolog: Dhe më tej, kjo është shndërruar në një pishinë të madhe në mes të aeroportit. E imagjinon dot si mund të jetë këtu kur të ketë reshje shirash?

Siguria në aeroportin e Vlorës është e një rëndësie të veçantë në kushtet kur punimet po kryhen nga kompani që ka vetëm 2% të aksioneve, 2A Group. Ndërkohë kompania që zotëron 98% të aksioneve Mabco e ka ngritur vazhdimisht si shqetësim rëndësinë e sigurisë, pasi vetëm ajo ka të gjitha kapacitetet për ta vënë në punë aeroportin.

Gjatë një konference për mediat pak muaj më parë, këshilltarja e kompanisë, Ornela Çuçi, deklaroi se në këto rrethana Mabco nuk mund të garantojë për integritetin teknik i aeroportit, ndaj ka kërkuar një proces certifikimi me ekspertizë ndërkombëtare, që Mabco është e gatshme ta paguajë me shpenzimet e saj.

“Sot nuk kemi një aeroport të gatshëm dhe, mbi të gjitha, nuk kemi garanci për sigurinë e tij, pasi askush nuk ka audituar integritetin teknik të veprës. MABCO kërkon vlerësimin e projektit përmes kompanisë SGS, një nga liderët botërorë për certifikimin e projekteve të këtyre përmasave. Kjo procedurë do të paguhet tërësisht nga MABCO, si aksionere e 98% të kuotave, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mënyrës së funksionimit të këtij aseti kombëtar” u shpreh Ornela Çuçi.

Në këtë situatë, problemi për aeroportin e Vlorës është fakti që një infrastrukturë kritike për sigurinë kombëtare dhe transportin ajror, po zhvillohet ende sot në kushtet kur mungon kontrolli i aksionerit kryesor, kur standardet teknike janë të paaudituara dhe vetë terreni i ndërtimit paraqet probleme strukturore.

Kontrasti mes asaj që promovohet dhe asaj që ekziston realisht në terren është i thellë. Ka mjaftuar që një gazetare e huaj e BBC, të kalojë aty pranë dhe me një vështrim të lirë të dallojë problemet themelore të një projekti që duhet të ishte simbol zhvillimi për turizmin shqiptar./Lapsi.al

Leave a comment

Trending