
Kthimi dramatik i Artemis II: Testi vendimtar për mbijetesë gjatë rikthimit në Tokë
Pas një udhëtimi prej qindra mijëra kilometrash dhe një rrotullimi historik rreth Hënës, ekuipazhi i misionit Artemis II po përballet me fazën më kritike të gjithë misionit, rikthimin në Tokë.
Astronautët pritet të ulen të shtunën më 11 prill, rreth orës 02:07 minuta pas mesnate sipas kohës në Kosovë.
Sipas NASA-s, anija kozmike Orion spacecraft do të hyjë në atmosferën e Tokës me një shpejtësi marramendëse prej afro 40 mijë kilomtra në orë. Në këto kushte ekstreme, kapsula pritet të shndërrohet në një “top zjarri”, duke përballuar temperatura që arrijnë deri në 2,700 gradë Celsius , nivele që mund të shkrijnë metalin.
Në këtë moment kritik, gjithçka varet nga një komponent kyç: mburoja termike. Kjo shtresë mbrojtëse është projektuar të digjet gradualisht gjatë hyrjes në atmosferë, duke thithur nxehtësinë dhe duke mbrojtur jetën e astronautëve brenda kapsulës.
Inxhinierët e NASA-s kanë bërë edhe rregullime në trajektoren e rikthimit për të minimizuar rrezikun, duke u bazuar në përvojat nga misionet e mëparshme.
Faza përfundimtare zgjat vetëm disa minuta, por është vendimtare: një zbritje e dhunshme, një ndërprerje e përkohshme e komunikimit dhe më pas hapja e parashutave që ngadalësojnë anijen për uljen në oqeanin paqësor, pranë bregdetit të San Diegos.
Ky moment përmbyllës konsiderohet testi më i rëndësishëm i misionit. Ekspertët theksojnë se ndërsa udhëtimi drejt hapësirës është sfidues, rikthimi në Tokë mbetet edhe më i rrezikshëm.
Suksesi i kësaj faze do të përcaktojë fatin e gjithë misionit dhe do të hapë rrugën për hapat e ardhshëm të njerëzimit drejt eksplorimit të thellë hapësinor.





Leave a comment