DPSHL depoziton kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin dhe shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 3, datë 6.7.2026

Diaspora për Shqipërinë e Lirë njofton opinionin publik se ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë kërkesën për shfuqizimin si antikushtetues dhe pezullimin e menjëhershëm të Aktit Normativ nr. 3, datë 6.7.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”.

Ky akt parashikon përdorimin e 400 000 000 lekëve, afërsisht 4 milionë euro, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e një aktiviteti kulturor-turistik, konkretisht koncertit të artistit ndërkombëtar Kanye West / YE në Tiranë.

DPSHL thekson se kjo kërkesë nuk ka për objekt vlerësimin artistik, kulturor apo politik të eventit. Çështja që kemi ngritur është shumë më e rëndësishme: a mund të përdoret neni 101 i Kushtetutës, pra kompetenca e jashtëzakonshme e Qeverisë për të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit, për të financuar një aktivitet të zakonshëm, të planifikueshëm dhe me pasoja të menjëhershme mbi buxhetin e shtetit?

Sipas DPSHL-së, përgjigjja është qartësisht jo.

Neni 101 i Kushtetutës lejon nxjerrjen e akteve normative me fuqinë e ligjit vetëm në rast nevoje dhe urgjence, për marrjen e masave të përkohshme. Këto kushte janë kumulative, të rrepta dhe përjashtimore. Ato nuk mund të zëvendësohen me dëshirën e Qeverisë për të financuar shpejt një aktivitet, me afërsinë e datës së eventit, apo me pretendime të përgjithshme për promovimin e turizmit dhe imazhit të vendit.

Në kërkesën tonë parashtrojmë se akti i kundërshtuar:

• nuk provon ekzistencën e një nevoje kushtetuese;

• nuk provon ekzistencën e një urgjence reale;

• nuk përmban masa të përkohshme në kuptimin e nenit 101;

• krijon pasoja financiare të menjëhershme dhe potencialisht të pakthyeshme mbi buxhetin e shtetit;

• përdor fondin rezervë për një aktivitet të planifikueshëm;

• nuk përmban analizë kosto-përfitim;

• nuk shpjegon pse pikërisht kjo shumë është e domosdoshme;

• nuk parashikon garanci të mjaftueshme transparence, auditimi, rikthimi apo kontrolli;

• nuk përcakton kritere të përgjithshme për financimin e aktiviteteve të tilla;

• dhe rrezikon të kthejë nenin 101 të Kushtetutës nga një mekanizëm i jashtëzakonshëm në një instrument të zakonshëm financimi qeveritar.

Në Gjykatën Kushtetuese kemi kërkuar:

1. Pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të Aktit Normativ nr. 3, datë 6.7.2026, deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

2. Pezullimin e çdo veprimi zbatues që buron nga ky akt, përfshirë nënshkrimin ose zbatimin e marrëveshjes me kompaninë organizatore, transferimin, disbursimin ose përdorimin e shumës 400 000 000 lekë, kryerjen e pagesave dhe çdo veprim tjetër financiar, kontraktor apo administrativ.

3. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të Aktit Normativ nr. 3, datë 6.7.2026.

4. Nëse akti miratohet ndërkohë nga Kuvendi, shfuqizimin edhe të ligjit miratues, pasi miratimi parlamentar i mëvonshëm nuk mund të shërojë mungesën fillestare të kushteve kushtetuese të nenit 101, sidomos mungesën e nevojës dhe urgjencës.

DPSHL vlerëson se pezullimi është urgjent, sepse nëse fondet disbursohen dhe shpenzohen përpara vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dëmi financiar dhe institucional mund të bëhet praktikisht i pakthyeshëm. Kontrolli kushtetues nuk duhet të ndodhë pasi fondet publike janë konsumuar dhe pasi Kuvendi e publiku janë vendosur përpara një fakti të kryer.

Kjo çështje nuk është kurrësesi vetëm për një koncert. Kjo çështje është për mrojtjen e shtetit të së drejtës, kufijtë e pushtetit ekzekutiv, për kontrollin parlamentar mbi buxhetin, për transparencën në përdorimin e fondeve publike dhe për mbrojtjen e Kushtetutës nga kthimi i kompetencave të jashtëzakonshme në mjete të zakonshme qeverisjeje.

Nëse sot pranohet që 4 milion Euro nga fondi rezervë të përdoren me akt normativ për një event të planifikueshëm, nesër çdo marrëveshje komerciale mund të financohet me të njëjtën mënyrë, duke anashkaluar procesin normal buxhetor, debatin parlamentar, transparencën dhe kontrollin publik.

Prandaj, DPSHL i bën thirrje publike të gjitha subjekteve që ndajnë të njëjtin shqetësim: organizatave të shoqërisë civile, ekspertëve të së drejtës kushtetuese, organizatave të diasporës, aktorëve publikë, deputetëve, institucioneve të pavarura, gazetarëve dhe qytetarëve të angazhuar, që t’i bashkohen kësaj kauze në mbrojtje të Kushtetutës, buxhetit të shtetit dhe interesit publik.

Kjo nuk është çështje partie, dhe as nuk është çështje preference artistike. Po ashtu, nuk është çështje as kundër kulturës, turizmit apo promovimit të Shqipërisë. Është çështje kushtetuese, publike dhe kombëtare: fondet publike duhet të përdoren vetëm në përputhje me Kushtetutën, me ligjin, me transparencë dhe me përgjegjshmëri të plotë.

DPSHL do ta ndjekë këtë çështje me seriozitetin maksimal dhe do ta informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë

Leave a comment

Trending