Një ngjarje e pazakontë dhe e përsëritur ka ndodhur në kryeqytet, ku Kumrie Zika, e njohur si një “hajdute seriale” për bizneset e Tiranës, është lënë sërish e lirë nga drejtësia vetëm tri ditë pas arrestimit të saj.

Pavarësisht historikut të saj me vepra të ngjashme penale, gjykata ka caktuar ndaj saj vetëm masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

Zika u paraqit si e interesuar për punë pranë një biznesi që merret me “Exchange” dhe transferta parash në zonën e “Varrit të Bamit”. Pronarët e morën në provë, por pa kaluar as ditët e parë të punës, ajo shfrytëzoi vetëm pak sekonda pakujdesi të punonjësit tjetër: Mori një sasi prej afro 5 mijë eurosh dhe u largua me shpejtësi duke u zhdukur në rrugicat e lagjes.

Pas denoncimit të menjëhershëm nga biznesi i dëmtuar, Policia e Shtetit e identifikoi autoren përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe bëri të mundur arrestimin e saj në zonën e “21 Dhjetorit”.

Edhe pse bëhet fjalë për një përsëritëse të veprës penale të vjedhjes, qëndrimi i saj prapa hekurave zgjati vetëm 72 orë.

Burime jozyrtare bëjnë me dije se prokuroria ka kërkuar një ekspertim të gjendjes mendore të të pandehurës. Në rastet e mëparshme në rrethana të paqarta, Zika kishte arritur të siguronte një kartelë mjekësore që në letrat zyrtare vërteton se ajo vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Kaq ka mjaftuar që ajo t’i shpëtojë sërish burgut, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si sigurohen këto dokumente mjekësore.

Ajo që e bën akoma më absurde këtë ngjarje është fakti se prej vitesh Kumrie Zika dilte shpesh në panelet televizive si eksperte e rekrutimit të burimeve njerëzore. Në daljet e saj publike në ekran, ajo kurrë nuk ka shfaqur asnjë problematikë apo shenjë të çrregullimeve psikike.

Me vendimin e fundit të gjykatës, Zika është rikthyer sërish në liri, ndërsa bizneset e kryeqytetit ndihen sërish të rrezikuara nga lëvizjet e saj të radhës./JOQ

Leave a comment

Trending