
Emërimi i Pamela Qirkos si Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) ka rikthyer në qendër të vëmendjes lidhjet mes emërimeve shtetërore, drejtësisë dhe ndikimit politik. Ky emërim vjen menjëherë pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi kërkesën e saj për t’u emëruar gjyqtare në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. Pasi nuk siguroi një vend në sistemin gjyqësor, ajo kalon në një nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë financiare në vend.
Përtej rolit të saj si ish-kryetare e KPK-së dhe juriste, në opinionin publik pesha më e madhe lidhet me faktin se së fundmi ka qenë avokate e motrës së saj, ministres Belinda Balluku, përballë SPAK-ut. Kalimi nga mbrojtja ligjore e një prej figurave më të fuqishme të qeverisë në një post drejtues shtetëror ka ngritur pikëpyetje mbi ndikimin e lidhjeve familjare në institucionet publike.
Qirko u propozua nga Drejtori i Përgjithshëm i ASD-së, Mina Kusta, i emëruar dy muaj më parë nga Banka e Shqipërisë. Emërimi i saj vjen në një moment kur po ndryshohet ligji për sigurimin e depozitave. Aktualisht ASD mbulon deri në 2.5 milionë lekë për depozitat bankare, ndërsa me ligjin e ri pritet që kufiri të rritet fillimisht në 6 milionë lekë dhe, me anëtarësimin në BE, në 100 mijë euro.
Pikërisht në prag të këtyre ndryshimeve madhore financiare, fakti që drejtimi i institucionit u besohet figurave të lidhura me familjen Balluku dhe kupolën politike ngre shqetësime për besimin e qytetarëve te siguria e kursimeve të tyre.


Leave a comment