Shqiptarët do vijojnë të dënden me mish të pakontrolluar nga Brazili edhe pas datës 3 shtator 2026, megjithëse Bashkimi Europian ka vendosur që pas kësaj date të ndalojë eksportin e mishit nga vendi i Amerikës së Jugut, me argumentimin se dëmton shëndetin publik. Por, për ministrin tonë të Bujqësisë, Andis Salla, një vendim i tillë nuk është fare problem, aq sa vazhdon të mos nxjerrë asnjë urdhër apo rregullore se si do të vijojë të mbërrijë në Shqipëri një mish i tillë.

Natyrisht, lobimet e grupeve të interesit duket se janë më të rëndësishme sesa shëndeti i popullatës, aq më tepër pas një vendimi tepër të rëndësishëm të Bashkimit Europian, që shkruan se “brazilianët përdorin pa kriter antibiotikë në blegtori”. Në këtë rast, ministri Salla vetëm sa duhet të “noterizonte” vendimin e BE-së dhe jo ta injorojë, siç ka bërë deri më tani, ndërsa na ndan vetëm një muaj nga hyrja në fuqi e ndryshimeve.

Dhe nëse nuk vepron, siç ka shumë gjasa të ndodhë, konsumatorët do të përballen me rrezikun e një produkti të dyshimtë, ndërsa bizneset do të nisin fushatat se “mishi është i shëndetshëm”. Rregullatori në këtë rast është vetëm firma e ministrit Salla. Ministria e Bujqësisë duhet të vendosë tani nëse do të përafrohet me kërkesat e Bashkimit Europian apo do të lejojë vazhdimin e importit në kurriz të konsumatorit.

Urdhri i 20 viteve më parë!

Sipas informacioneve, gjithçka mbështetet te urdhri nr. 294 i vitit 2006, i cili lejon importin e mishit nga Brazili vetëm nëse stabilimentet janë të certifikuara për eksport drejt BE-së. Por nga 3 shtatori 2026, me rregulloren e re 2026/1189, Brazili humbet këtë autorizim për mishin e gjedhit dhe shpendëve, pasi BE vlerëson se nuk garanton kufizimin e përdorimit të antibiotikëve në blegtori. Kjo e bën urdhrin shqiptar praktikisht të pazbatueshëm.

Alarmi i AKU-së

AKU i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë të nxjerrë urgjent një urdhër të ri për importet pas 3 shtatorit. Tashmë vendimi është në dorën e ministrit Andis Salla: të përafrojë Shqipërinë me standardet e BE-së apo të lejojë vazhdimin e importeve të mishit brazilian.

Trending