Meta, kompania që zotëron Facebook dhe Instagram, përballet me një nga betejat më të rëndësishme ligjore në historinë e saj. Një gjyq që nis më 18 gusht në SHBA lidhet me akuzat se platformat e saj janë dizajnuar për të mbajtur fëmijët dhe adoleshentët sa më gjatë të jetë e mundur në rrjetet sociale.

Padia është ngritur nga 30 shtete amerikane, të cilat pretendojnë se Meta ka përdorur funksione si njoftimet e vazhdueshme, ‘infinite scroll’, rekomandimet algoritmike dhe sistemi i pëlqimeve për të rritur angazhimin e përdoruesve të rinj, pavarësisht pasojave të mundshme te mirëqenia e tyre.

Shtetet kërkojnë ndryshime të rëndësishme në Facebook dhe Instagram, përfshirë kufizimin e lëvizjes së pafundme të përmbajtjes, heqjen e numrit publik të ‘likes’, kufizimin e njoftimeve dhe masa më të forta për kontrollin prindëror të llogarive të të miturve. Ata kërkojnë gjithashtu dëmshpërblime që mund të arrijnë shifra shumë të larta.

Meta i ka mohuar akuzat dhe thotë se provat do të tregojnë angazhimin e kompanisë për mbrojtjen e të rinjve. Nëse 30 shtetet fitojnë, vendimi mund të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën se si funksionojnë Facebook dhe Instagram në SHBA, duke prekur një pjesë të konsiderueshme të përdoruesve amerikanë.

Leave a comment

Trending