
Një sqarim përpara se të bëhemi pjesë e zhurmës apo të ndezim zjarre të panevojshme, të cilat kërkojnë shumë më tepër kohë për t’u shuar.
Kam parë deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, lidhur me përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga “të paktën dy vende të rajonit” në veprimtari të koordinuara hibride. Kam parë gjithashtu interpretimet dhe aludimet e ndryshme mediatike që pasuan.
Raportimet mediatike janë pjesë e debatit publik. Ne i lexojmë dhe i analizojmë me vëmendjen e duhur, por i marrim me rezervën e nevojshme, aq më tepër kur ato përmbajnë interpretime të ndryshme ose kontradiktore.
Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër.
Shqipëria dallohet pikërisht sepse bën të kundërtën: investon çdo ditë në bashkëpunim, mirëkuptim të ndërsjellë, stabilitet dhe zhvillim rajonal, si edhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian dhe euroatlantik.
Spekulimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona.
Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet, dhe kështu kam vepruar edhe në këtë rast, në komunikimet që kam pasur me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Ibrahimoviç, si edhe me zëvendëskryeministrin Nik Gjelloshaj.
Kjo duhet të mbahet parasysh edhe këtu mes nesh.
Aktorë të ndryshëm, përfshirë edhe ata politikë, janë të mirëpritur të marrin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme çdo informacion të nevojshëm për të shmangur debatet e panevojshme dhe, mbi të gjitha, për të parandaluar që politika e jashtme e vendit të bëhet objekt apo instrument i debateve dhe qasjeve të brendshme partiake.
Politika e jashtme kërkon gjithmonë qetësi, pjekuri dhe përgjegjshmëri”


Leave a comment