
Bekim Sejdiu, kandidati ideal për President të Kosovës 🇽🇰🇽🇰🇽🇰
Këto ditë po përfliten disa emra për President të ri të Republikës së Kosovës. Njëri prej tyre është ai i ambasadorit dhe profesorit Bekim Sejdiu.
Ambasador Sejdiu është një zgjedhje e mençur për Kosovën sepse ai nuk vjen me barrë politike, e as me ngarkesa partiake. Ai sjell përvojë të madhe profesionale, shtetërore, juridike, akademike e diplomatike. Ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, si ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Turqi, si konsull i përgjithshëm në New York dhe si profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Kjo është ajo që i duhet Kosovës sot: një njeri i matur e i përgatitur, që e njeh ligjin, e kupton shtetin dhe di si të flasë me botën. Kosova ka nevojë për një President që i shërben popullit, që e mbron Kushtetutën, dinjitetin dhe interesin e Kosovës.
Ambasador Sejdiu e kupton mirë sakrificën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci. Ai e di se çfarë ka kaluar ky vend për të ardhur deri këtu. Por ai e kupton edhe arenën ndërkombëtare, diplomacinë, marrëdhëniet me aleatët dhe rëndësinë e madhe të miqësisë me 🇺🇸 Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përvoja e tij në Turqi, një vend i rëndësishëm i NATO-s, dhe në New York, ku ka krijuar lidhje të forta me zyrtarë të lartë amerikanë dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan 🇦🇱🇺🇸, është vlerë e madhe për Kosovën 🇽🇰
Kosovës i duhet një President që di të menaxhojë kriza, që di të ruajë qetësinë, që është unifikues dhe që mund ta çojë vendin përpara. U bëj thirrje të gjitha partive politike në Kosovë, pozitë e opozitë, që të veprojnë menjëherë dhe pa vonesa. Kosova ka nevojë për një figurë serioze e të respektuar si Bekim Sejdiu, që bashkon udhëheqësit politikë, institucionet, qytetarët dhe aleatët rreth një qëllimi të përbashkët: forcimin e shtetit të Kosovës.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe gjithë popullin shqiptar 🙏



Leave a comment