Alice Weidel paralajmëron kthesë të fortë në Gjermani: Mbyllje kufijsh dhe dëbim të emigrantëve të paligjshëm

Bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, ka paralajmëruar një kurs shumë më të ashpër ndaj emigracionit, pas rezultatit historik të partisë së saj në zgjedhjet e Saksoni-Anhaltit.

Weidel deklaroi se, nëse AfD merr përgjegjësinë e qeverisjes, kufijtë gjermanë do të mbyllen për hyrjet e paligjshme dhe do të intensifikohen dëbimet e personave që qëndrojnë në vend pa dokumente ose kryejnë vepra penale.

“Duhet t’i sigurojmë kufijtë tanë dhe të kontrollojmë saktësisht se kush hyn në Gjermani dhe kush nuk duhet të lejohet. Ata që kryejnë krime ose qëndrojnë ilegalisht do të dëbohen”, deklaroi Weidel.

AfD-ja ka prezantuar gjithashtu një program për 100 ditët e para të qeverisjes në Saksoni-Anhalt, ku parashikohen masa më të rrepta ndaj emigracionit të paligjshëm, shtim i dëbimeve dhe kufizim i përfitimeve financiare për azilkërkuesit. ⁠

Megjithatë, Weidel theksoi se masat nuk synojnë emigrantët që punojnë dhe respektojnë ligjin.

“Çdokush që kontribuon pozitivisht në shoqërinë tonë, që dëshiron të punojë, është i kualifikuar, paguan taksa dhe respekton ligjin, është i mirëpritur”, tha ajo.

Sipas saj, kundërshtimi i AfD-së lidhet me “emigracionin e parregullt dhe të paligjshëm përmes kufijve të hapur”, si dhe me personat që hyjnë në sistemin e ndihmës sociale pa kontribuar. ⁠

Leave a comment

Trending