50-vjeçarja amerikane i mbijetoi administrimit të dy dozave të pentobarbitalit gjatë një tentative të dështuar ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës në Tenesi. Avokatët bëjnë të ditur se ajo do të vijojë të marrë kujdes mjekësor në burg.

Christa Pike, gruaja 50-vjeçare që mbijetoi pas një tentative të dështuar ekzekutimi në Shtetet e Bashkuara, është larguar nga spitali dhe është kthyer në burgun Deborah K. Johnson, institucioni i vuajtjes së dënimit ku mbahej prej 30 vitesh.
Lajmi u bë i ditur nga avokatët e saj, të cilët njoftuan se Pike do të vijojë të marrë kujdes mjekësor në burg, ndërsa gjendja e saj do të monitorohet gjatë procesit të rikuperimit.
“Është mirënjohëse ndaj personelit të urgjencës dhe ekipit mjekësor për kujdesin e ofruar në këto rrethana të jashtëzakonshme”, deklaruan avokatët e saj.
Pike i mbijetoi dy dozave të pentobarbitalit, të administruara më 30 shtator gjatë një tentative ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës në shtetin e Tenesit. Ajo ishte dënuar me vdekje për vrasjen me thikë të shoqes së saj të shkollës, Colleen Slemmer, në vitin 1995.
Pas dështimit të ekzekutimit, 50-vjeçarja u shtrua në spital, ku qëndroi për disa ditë nën kujdesin e mjekëve. Më 6 tetor, avokatët njoftuan se ajo kishte rifituar vetëdijen dhe kishte nisur të fliste nga shtrati i spitalit. Një ditë më pas, ajo kishte filluar të bënte disa hapa me ndihmë.
Më 8 tetor, përfaqësuesit e saj bënë të ditur se Pike po arrinte të ecte me njëfarë mbështetjeje, se krahët po rikuperonin lëvizjen dhe forcën, ndërsa mushkëritë ishin pastruar dhe ajo kishte rifilluar të ushqehej normalisht.
Sipas Qendrës së Informacionit për Dënimin me Vdekje (Death Penalty Information Center), Pike është personi i vetëm i njohur në SHBA që ka mbijetuar pas një tentative ekzekutimi. Tashmë fati i saj është në pikëpyetje, nëse autoritetet do të tentojnë sërish ekzekutimin e saj, apo do të pranohet kërkesa e avokatëve për burgimin e saj të përjetshëm, pa të drejtë lirimi.

Leave a Reply