Gjobë e majme dhe një ndeshje jashtë fushe pa tifozë! UEFA ndëshkon Kosovën, ja banderola që u bë shkak

—

1–2 minutes

Kosova është ndëshkuar edhe me ndalim të shitjes së biletave për një ndeshje jashtë fushe në kompeticionet e UEFA-s

Kombëtaret e futbollit të Kosovës, Kroacisë dhe Serbisë janë dënuar nga UEFA, pas ndeshjeve të zhvilluara për Ligën e Kombeve. 

Kështu, Federata e Futbollit e Kosovës është gjobitur me 35 mijë euro. Nga kjo shumë, 15 mijë euro janë vendosur për shfaqjen e një mesazhi të papërshtatshëm për një aktivitet sportiv. Në këtë rast, bëhet fjalë për një banderolë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, me tekstin “Unitet. Çlirim. Krenari”. Shpalosja e kësaj banderole erdhi si reagim dhe solidarizim i tifozëve pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë në mesin e shtatorit 2026, ku u dënuan me 81 vite burg në total, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. 

Ndërkohë, 20 mijë euro të tjera janë vendosur për sjellje raciste dhe diskriminuese të tifozëve në humbjen 3-1 ndaj Austrisë. Përveç gjobës, Kosova është ndëshkuar edhe me ndalim të shitjes së biletave për një ndeshje jashtë fushe në kompeticionet e UEFA-s. Kjo masë është pezulluar për dy vjet dhe do të hyjë në fuqi në rast të përsëritjes së shkeljeve përkatëse brenda kësaj periudhe. 

Edhe Kroacia është ndëshkuar për sjelljen e tifozëve të saj. Federata kroate duhet të paguajë 20 mijë euro gjobë pas humbjes 4-1 ndaj Spanjës, për sjellje raciste dhe diskriminuese në tribuna. Ashtu si në rastin e Kosovës, edhe për kroatët është vendosur ndalimi me kusht i shitjes së biletave për një ndeshje jashtë fushe, i pezulluar për dy vjet. 

Në të njëjtin vendim disiplinor, UEFA ka ndëshkuar edhe Serbinë. Federata serbe është urdhëruar që ndeshjen e radhës në shtëpi ta zhvillojë pa spektatorë, ndërsa është gjobitur me 50 mijë euro për sjellje raciste dhe diskriminuese në ndeshjet kundër Greqisë dhe Holandës. Kësaj shume i shtohen edhe 20 mijë euro gjobë për shfaqjen e një mesazhi të papërshtatshëm për ngjarje sportive.

Leave a Reply