Në tryezën me përfaqësuesit e opozitës ishin Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku dhe Ivi Kaso, ndërsa kreu i PD-së nuk mori pjesë. Delegacioni amerikan zhvilloi gjithashtu një takim me drejtuesit e SPAK dhe BKH-së.

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të opozitës shqiptare, në kuadër të vizitës së dy senatorëve amerikanë në Shqipëri. Në takim morën pjesë deputetët demokratë Oerd Bylykbashi dhe Jorida Tabaku, si dhe Ivi Kaso, krahas përfaqësuesve të partive të tjera opozitare.
Ajo që bie në sy është mungesa e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Takimi vjen pasi Wendt nuk e kishte përfshirë Berishën në pritjen e organizuar në Tiranë me rastin e nisjes së misionit të tij diplomatik.
Ambasadori amerikan ka shmangur një takim të drejtpërdrejtë me kreun e opozitës, teksa ky i fundit është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të akuzave për korrupsion madhor dhe cenim të demokracisë. Ai i ka kundërshtuar akuzat, ndërsa pak ditë më parë zhvilloi një vizitë në SHBA.
Gjatë paradites së sotme, ambasadori Wendt dhe dy senatorët amerikanë zhvilluan një vizitë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku u takuan me drejtuesin e institucionit, Klodian Braho, dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.
Vizita në SPAK vjen në një periudhë kur lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë mbeten pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Kush janë senatorët amerikanë?
Dy senatorët që po vizitojnë Shqipërinë janë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, të cilët kanë zhvilluar takime edhe me përfaqësues të institucioneve shqiptare.
Më 9 tetor, presidenti Bajram Begaj u akordoi të dy senatorëve titullin “Komandant i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, në vlerësim të kontributit të tyre në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Shaheen dhe Durbin kanë mbështetur nisma që synojnë forcimin e demokracisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Vizita e delegacionit amerikan zhvillohet në kuadër të angazhimit të Uashingtonit në rajon, ndërsa takimet në Tiranë përfshijnë përfaqësues të politikës dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë.

Leave a Reply