
Në një deklaratë drejtuar opinionit publik, Niko Peleshi thekson se shtyrja e senances plenare është marrë për të garantuar zhvillimin e qetë të punimeve të Kuvendit dhe për të shmangur çdo shkak të mundshëm për provokime të mëtejshme në një situatë të tensionuar.
Kryetari i Kuvendit u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe shoqërorë që t’i japin përparësi arsyes, dialogut dhe interesit kombëtar, duke nënvizuar se dallimet politike nuk duhet të vënë në rrezik të ardhmen e vendit.
Jetojmë në demokraci. Kemi orientime politike të ndryshme. Kemi interesa të ndryshme. Grindemi, zemërohemi, protestojmë. Por mbi çdo ndryshim qëndron një interes i përbashkët kombëtar, një tokë e përbashkët: Shqipëria jonë”, shprehet Peleshi.
Një pjesë të rëndësishme të mesazhit të tij, Kryetari i Kuvendit ia kushton të rinjve, studentëve dhe nxënësve, duke theksuar se ata kanë të drejtë të kërkojnë më shumë nga institucionet dhe të dëgjohen, por nuk duhet të përfshihen në akte dhune.
Peleshi shprehet se studentët dhe të rinjtë shqiptarë duhet të jenë pjesë e një të ardhmeje europiane, ndërsa i cilëson ngjarjet e fundit të dhunës, djegieve dhe grabitjeve, të cilat sipas tij po u atribuohen qëllimisht studentëve, si një dëm të madh për vendin.
“Studentët tanë do të jenë shqiptarët e parë që do të dalin në jetë si europianë, pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Europian. Prandaj ngjarjet e fundit të dhunës, djegieve dhe grabitjeve, që qëllimisht po u vishen atyre, janë një dëm i madh për të gjithë ne”, deklaron ai.
Në deklaratën e tij, Peleshi e lidh situatën e krijuar në vend edhe me objektivin strategjik të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai thekson se rruga drejt anëtarësimit kërkon përgjegjësi dhe se zhvillimet e brendshme nuk duhet të kthehen në pengesë për këtë proces.
“Shqipëria ka pritur shumë. Shqipëria ka punuar shumë. Shqipëria e meriton të hyjë në BE si e barabartë”, shprehet Kryetari i Kuvendit.
Ai paralajmëron se procesi i integrimit nuk është i garantuar dhe se zhvillohet në një kontekst gjeopolitik të ndërlikuar, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas Peleshit, çdo përpjekje për të ardhmen europiane të vendit duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe me shmangien e akteve të dhunës që mund të dëmtojnë interesat e Shqipërisë.
“Ky proces mund të pengohet nga forca malinje, por kurrsesi nuk duhet të pengohet, as të prishet, nga vetë ne, shqiptarët modernë të shekullit XXI”, thekson ai.
Një tjetër pikë e fortë e deklaratës është apeli për të mbrojtur të miturit dhe nxënësit e gjimnazeve nga përfshirja në përplasje të dhunshme. Peleshi kërkon një reagim të përbashkët të shoqërisë, përtej ndarjeve politike, për të mos lejuar që të rinjtë të formohen nën ndikimin e urrejtjes dhe dhunës.
“Shoqëria jonë duhet ta mbajë frymën dhe të reagojë njëzëri për t’i mbajtur larg dhunës të miturit dhe nxënësit e gjimnazeve”, apelon ai.
Kryetari i Kuvendit nënvizon se mbrojtja e fëmijëve dhe edukimi i tyre janë përgjegjësi e përbashkët, pavarësisht bindjeve politike.
“Këtu duhet të jemi të gjithë bashkë, pa dallime politike: demokratë, socialistë apo të paangazhuar. Fëmijët janë interesi më i lartë i një vendi. Ashtu siç edukohen sot, ashtu do të jetë Shqipëria nesër”, deklaron Peleshi.
Në përfundim, duke iu referuar edhe përvojës së tij si student i Dhjetorit ’90, ai bën thirrje për përmbajtje, reflektim dhe dialog, duke kërkuar që debatet për të ardhmen e vendit të zhvillohen pa harruar interesin e përbashkët kombëtar.
“Të ulemi. Të flasim. Të diskutojmë dhe të debatojmë për të ardhmen, pa harruar kurrë se, mbi të gjitha, jemi të gjithë shqiptarë”, përfundon deklaratën Kryetari i Kuvendit.

Leave a Reply