Shpallja dje e qytetit të Përmetit “Qendër Historike”, me Vendim të Këshillit të Ministrave është lëvizje në drejtimin e duhur, për vetë trashëgiminë kulturore të qytetit, e po aq për qytetarët përmetarë ( ata që Konica pëlqente ti quante përmetas, siç mbante një nga pseudonimet e Tij), të cilët prej vitesh presin  të shohin se si dhe me se do të zhvillohet qyteti i tyre i vogël, por me emër të madh.

Koncepti i qendrës historike ka të bëjë me zemrën e një qytetërimi ku jeta vazhdon në mënyrë të pandërprerë prej qindra vitesh, aty ku gjenden dëshmi të prekshme të trashëgimisë kulturore materiale e shpirtërore të banorëve të saj.

Përmeti është një i tillë. 


Vlera të ndërtimeve popullore e atyre të kultit të shpallura edhe nominalisht ndër vite si  “Monumente Kulture”, gjenden brenda hapësirës që nga dje gëzon statusin e ri të mbrojtjes.

Nga ana tjetër, Përmeti mbetet Kryeqendra historike e muzikës me saze, e gatimeve të larmishme (të embla, të tharta apo të kripura qofshin), e padyshim vendi historik i arsimit e kulturës.

I vendosur në trekëndëshin e artë të turizmit kulturor të UNESCOs: Butrint-Gjirokastër-Berat, duket se Përmeti mund të bëjë diferencën me ta, pikërisht me ato produkte turistike e vlera që nuk mund të  konkurrohen dot, e si të tilla mund ti gjesh vetëm aty.

Prandaj statusi i mbrojtjes si “Qendër Historike” duhet të kuptohet nga të gjithë jo vetëm si status kufizues, por më së shumti si ndryshim filozofie dhe rrugë zhvillimi, cilësisht e ndryshme nga deri më tani.

Përmetit dhe përmetarëve ndryshimi duket se do t’ju vijë nga kultura, nga ajo kulturë që e mban qyteti dhe fshatrat përreth si materie ( Bënja, Leusa, Kosina etj) dhe kultura tjetër të cilën qytetarët e mbartin si vlerë shpirtërore, pikërisht ajo që e bëri Fan S. NOLIN të shkruante:
Do të hash e të bësh qejf, 

sofrën shtruar si për mbret, 

punëtorë e për hysmet, 

të tillë gjen veç ne permet.

Vasil Tole

Trending